Shqipëria

SPAK duhet të sqarojë pse s’po lëviz as gishtin për Ilir Metën, thotë Rama


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vijuar retorikën politike ndaj Porukurorisë së Posaçme SPAK, duke i shtruar institucionit sërish pyetjen, se “pse nuk e ka lëvizur ende gishtin për kampionët e korrupsionit në Shqipëri”, ndërsa për ish-gjykatësin Ardian Dvorani, të cilin Departamenti amerikan i Shtetit e ka shpallur “kampion të anti-korrupsionit”, u vu në lëvizje menjëherë.

Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Socialiste, Rama foli me tone shumë të ashpra kundrejt SPAK-ut dhe mënyrën si ky institucion po vepronte.

Nga ana tjetër, në një reagim nga SPAK, thuhej se çështja ndaj Dvoranit ishte e pushuar me kohë.

Por, kjo nuk mjafton sipas kryeministrit.

“Unë nuk i heq asnjë presje asaj që deklarova sot dhe nuk mjafton që SPAK-u të thotë se e paska pushuar çështjen, pasi faktikisht e mori peng gjykatësin në fjalë pa asnjë arsye në botë, duke i shkuar praktikisht pas avazit armikut numër një të Reformës në Drejtësi, Ilir Metës!”.

Kështu shkruan Rama në median e tij sociale Twitter.

Mirëpo, sipas zëdhënësit të Presidencës, Tedi Blushi, Dvorani ka qenë personi, i cili ka penguar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, për llogari të vetë Ramës.

“Të gjithë shqiptarët duan të dinë çfarë e detyron Ramën, Kampionin e Korrupsionit që e ktheu Shqipërinë një narkoshtet dhe të dytin në botë për korrupsionin, që të kthehet në Avokatin e Dvoranit? Rama-Dvorani dhe Dvorani-Rama binomi i pandarë i antishtetit, dhunimit të Kushtetutës dhe ligjit, falsifikimit të dokumentave zyrtarë dhe kapjes së shtetit për llogari të partisë”, shkruhet në reagimin e Blushit.

Ndër të tjera, kryeministri ka akuzuar në mënyrë direkte SPAK-un, edhe mbi mos-hetimin e ish-kryeministrit, Sali Berisha, i cili është i shpallur si non grata nga SHBA-të.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore