Lajme

SpaceX/ Problemi i tualetit detyron astronautët të përdorin pelena për kthimin në Tokë


Astronautët që do të largohen nga Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor të dielën e 7 nëntorit do të duhet të përdorin pelena gjatë rrugës për në shtëpi.

Kjo për shkak të tualetit të prishur në kapsulën e tyre SpaceX.

Megan McArthur, astronautja e NASA-s, e ka përshkruar situatën si “nën-optimale”, por të menaxhueshme.

Së bashku me tre anëtarë të tjerë të ekuipazhit, ajo do të kalojë 20 orë në kapsulë deri ditën e hënë, tregon e përditshmja “The Guardian”.

“Fluturimi në hapësirë ​​është plot me sfida të vogla”, ka treguar McArthur në një konferencë shtypi nga orbita.

Gjithashtu ka shtuar se “kjo është vetëm një tjetër sfidë me të cilën do të hasemi dhe për të cilën do të kujdesemi në misionin tonë. Kështu që, nuk jemi shumë të shqetësuar për këtë”.

Menaxherët e misionit, pas një sërë takimesh të së premtes, vendosën të sillnin McArthur dhe pjesën tjetër të ekuipazhit në shtëpi përpara se të nisnin zëvendësimet.

Nisja e SpaceX-it ishte vonuar më shumë se një javë për shkak të motit të keq dhe një problemi shëndetësor të pazbuluar që përfshinte një nga anëtarët e ekuipazhit.

Kurse tani, SpaceX-i synon ngritjen për të mërkurën mbrëma.

Astronauti francez Thomas Pesquet, i cili do të kthehet me McArthur-in, u ka treguar gazetarëve se gjashtë muajt e fundit kanë qenë intensivë.

Astronautët kryen një sërë shëtitjesh hapësinore për të përmirësuar rrjetin elektrik të stacionit, duruan goditjet e paqëllimshme të shtytësve nga automjetet ruse të ankoruara që e dërguan stacionin në rrotullime të shkurtra dhe pritën një ekuipazh privat rus.

Gjithashtu anëtarët e ekuipazhit duhej të përballeshin me rrjedhjen e tualetit, duke tërhequr panelet në kapsulën e tyre për të zbuluar problemin.

Ai u vu re për herë të parë gjatë fluturimit privat të SpaceX-it në shtator, tregon “The Guardian”, kur një tub derdhi çfarë mbante nën dërrasat e dyshemesë.

Kështu, SpaceX-i e rregulloi tualetin e kapsulës në pritje të ngritjes, por e konsideroi tualetin në orbitë të papërdorshëm.

Paçka se inxhinierët përcaktuan se tualeti ishte i sigurt për kthimin, kësaj here astronautët do të duhet të mbështeten në ato që Nasa i përshkruan si “të brendshme” absorbuese.

Bashkë me McArthur dhe Pesquet po kthehet edhe astronauti i NASA-s, Shane Kimbrough dhe ai japonez, Akihiko Hoshide.

SpaceX i nisi ata në stacionin hapësinor më 23 prill.

Kapsula e tyre është e certifikuar për një maksimum 210 ditë në hapësirë. Dhe e premtja ishte dita e tyre e 196 atje lart.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore