Lajme

SpaceX çon në hapësirë të parën indigjene amerikane në histori


Një mision jashtëzakonisht i suksesshëm ka rezultuar si i kompanisë amerikane që operon në fushën e udhëtimeve hapësinore, SpaceX, pasi me misionin e tyre të radhës në bashkëpunim me NASA-n, kanë dërguar në hapësirë të parën indigjene amerikane në histori.

Nicole Mann, një kolonelë e marinës amerikane, 45-vjeçare, do të përjetësohet tashmë në histori për misionin e madh që ka ndërmarrë.

Ajo së bashku me tre astronautë të tjerë, po udhëtojnë drejt Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar, ku do të mbërrijnë përfundimisht rreth mbrëmjes së 6 tetorit, pas 29 orësh udhëtim dhe orbitim për pozicionim, në bordin e anijes kozmike të SpaceX.

“Shpresoj të frymëzoj çdo indigjen të Amerikës, çdo fëmijë, për të ndjekur dhe realizuar ëndrrat e tyre pa u penguar nga barrierat që mund t’i vendosen përgjatë këtij rrugëtimi”.

Do të ishin këto fjalët e Mann përpara nisjes.

Ajo është një ushtarake karriere tepër e suksesshme, e cila ka shërbyer edhe në misionet amerikane në Irak dhe Afganistan, për të cilat është dekoruar me gjashtë medalje për shërbimet e dhëna ndaj vendit.

Tribuja në të cilën Mann bën pjesë, është ajo e Wailacki, në grupimin e tribuve të Round Valley.

Diksriminimi racor për këtë pjesë të shoqërisë ka qenë një problem i kahershëm për vendin, ku sipas të dhënave në vitin 2017, vetëm 27% e indigjenëve amerikanë kanë pasur mundësi të arsimohen.

Në këtë mënyrë, Mann bëhet një shembull frymëzimi për të gjithë komunitetin e indigjenëve amerikanë, duke iu bashkuar në mënyrë të barabartë kolegëve të saj astronautë, në misionin e rëndësishëm në hapësirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore