Ekonomi

S&P, konfirmon vlerësimin “B+” për Shqipërinë


Agjensia Ndërkombëtare e Vlerësimit, Standard & Poor’s, ka parashikuar se në vitin 2021 ekonomia e Shqipërisë mund të rritet me 4.5%.

Rritja e parashikuar vjen me supozimin se nuk do të ketë një vit tjetër të infektimeve të COVID-19 të cilat mund të çojnë në një mbyllje tjetër të vendit.

Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në rishikimin e fundit të datës 1 shkurt të vitit 2020, S&P, konfirmon për Shqipërinë vlerësimin aktual në “B+”, si dhe një perspektivë të qëndrueshme.

Nga ana tjetër, agjensia e ka konsideruar të lartë nivelin aktual të borxhit dhe ka sugjeruar mbajtjen e një “balance primare pozitive” për rivendosjen e disiplinës fiskale nga viti 2023 e në vijim. Ajo e ka vendosur theksin te vlerësimi i ekspozimit ndaj rreziqeve të mundshme fiskale.

Agjensia bën me dije se shpenzimet shtesë të lidhura me pandeminë kanë bërë që deficiti i vitit 2020 të rritet me rreth 6.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, krahasuar me 1.9% në vitin 2019.

Sipas njoftimit të ministrisë, S&P, është shprehur gjithashtu, se qeveria ka arritur të sigurojë kredi nga Institucione Financiare Ndërkombëtare dhe ka arritur të emetojë një Eurobond të suksesshëm. Këto kanë ndihmuar në financimin e hendekut fiskal dhe ndalimin e presioneve të bilancit të pagesave.

Ndërkohë, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, qeveria shqiptare ka nisur zbatimin e një sërë sistemeve fiskale për të rritur të ardhurat ndaj PBB-së me mbi 30%. Pjesë e tyre është edhe sistemi i fiskalizimit.

S&P ka parashikuar gjithashtu, që në vitin 2022, borxhi i përgjithshëm i qeverisë ndaj PBB-së të bjerë.

Standard & Poor’s është agjensi ndërkombëtare që ofron shërbimin e analizave të thelluara financiare mbi ecurinë dhe vazhdimësinë ekonomike të një kompanie private apo një qeverie.

Renditja e vlerësimeve financiare që S&P lëshon, simbolizohet me anë të gërmave AAA, AA, A, BBB, BB, B duke vazhduar me C dhe D.

Në rastet kur një kompani apo qeveri, vlerësohet me nivelin AAA, kjo nënkupton se situata financiare e saj apo e qeverisë që e ka siguruar këtë vlerësim është e shëndoshë.

Në rastet kur vlerësimi i lëshuar nga S&P është i ulët, kjo konsiderohet me rëndësi pasi agjensia luan rolin e një udhëzuesi të investitorëve. Duke u bazuar në vlerësimet e dhëna nga agjensia, investitorët mund të gjejnë informacionet e nevojshme për mundësinë e investimit në një vend të caktuar apo kompani. Më pas, ata mund të marrin vendime lidhur me investimin bazuar në vlerësimet e lëshuara nga S&P.

Nga ana tjetër, duhet pasur parasysh se agjensia është me karakter privat dhe paguhet nga vetë kompania apo qeveria për të kryer analizat financiare. Kjo është një nga anët problematike të agjensive të tilla të cilat mund të kryejnë shkelje në dhënien e vlerësimeve fiktive.

Niveli i vlerësimit B+ të cilin e ka siguruar qeveria shqiptare, kategorizohet te niveli joinvestues i ekonomisë. Fakt ky i cili mund të ndikojë te sjellja që tregojnë investitorët ndaj investimeve të tyre në vendin tonë. Megjithatë, B+ përbën një nga nivelet më të larta të vlerësimit nën shkallën e investimit.

Kompania e quajtur S&P Global, numëron 1 mijë e 400 analistë kredie dhe rreth 1.2 milionë vlerësime kredie të cilat janë dhënë për qeveri, korporata dhe sistemin financiar në tërësi. Vlerësimet fokusohen kryesisht te borxhi i ndërmarrjeve publike dhe private.

Zyrat e Standard & Poors’s janë të përhapura në 26 vende të ndryshme dhe njihet në të gjithë botën për larminë e indekseve standard dhe të investueshme, si dhe për numrin e madh të vlerësimeve që lëshon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore