Lajme

Sot publikohen të dhënat e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut


Ilustrim

Enti Shtetëror i Statistikave do të publikojë sot (e mërkure) të dhënat nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, 2021, i cili është realizuar nga data 5 deri më 30 shtator 2021.

Për këtë do të flasin drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostol Simovski, zëvendësdrejtori Ilmi Selami dhe eksperti ndërkombëtar nga Sllovenia, Danilo Dolenc.

Regjistrimi i vitit 2021 është i pari në shumë parametra – i pari në pothuajse në dy dekada, i pari në një pandemi, i pari në një metodë të kombinuar, i pari që rendit diasporën. Ky regjistrim gjithashtu është konsideruar nga EShS si i suksesshëm pavarësisht nga të gjitha sfidat dhe rrethanat pandemike.

Drejtori i EShS-së, Apostol Simovski, në një paraqitje të së martës ka deklaruar se regjistrimi, përkundër të gjitha sfidave, është një prezantim dhe prerje e plotë, e saktë dhe precize e shoqërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Publikimi i të dhënave do të bëhet sipas grupeve të të dhënave. Grupi i parë i të dhënave që do të publikohet sot (e mërkure) përfshin të dhëna për popullsinë totale rezidente, totalin e popullsisë jorezidente, gjininë, moshën, përkatësinë etnike, fenë, gjuhën amtare dhe gjuhën e zakonshme të familjes, numrin e banesave dhe numrin e familjeve.

Ndërsa grupe të dhënash do të publikohen për karakteristikat arsimore dhe ekonomike të popullsisë, strehimin, familjet.

Pas përfundimit të regjistrimit të popullsisë më 30 shtator të vitit të kaluar, EShS kishte publikuar në faqen e saj zyrtare se janë regjistruar gjithsej 1 milion e 832 mijë e 696 persona, se janë regjistruar 568 mijë e 175 amvisëri dhe 837 mijë e 255 banesa.

Ndërsa, jashtë shtetit sipas EShS, janë 204 mijë e 805 persona që janë vetëregjistruar.

Regjistrimi i vitit 2021 është kryer nën protokolle të rrepta shëndetësore dhe në kushte të pandemisë Covid-19, sipas një metodologjie të re të EUROSTAT-it, ku për herë të parë është kombinuar një model – përveç mbledhjes së të dhënave direkt nga popullata në terren, të dhëna nga p.sh. thirrur databaza e pararegjistrimit, ku me futjen e numrit të identitetit të qytetarit në aplikacionin e regjistrimit, tërhiqeshin automatikisht të gjitha të dhënat që ekzistojnë për atë person në bazat e të dhënave në vend.

Në vitin 2002 është mbajtur regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut. Nga ai regjistrim kishte dalë se popullsia e përgjithshme ishte 2 milion e 22 mijë e 547 persona. Gjithashtu, sipas rezultateve kishte 564 mijë e 296 familje dhe 698 mijë e 143 banesa.

Sipas përkatësisë etnike thuhej se maqedonas ishin 1 milion e 297 mijë e 981 ose 64.17%, shqiptarë 509 mijë e 83 ose 25.17%, turq 77 mijë e 959 ose (3.85%), romë 53 mijë e 879 ose 2.66%, serbë 35 mijë e 939 ose1.78 %.

Pas Luftës së Dytë Botërore në Maqedoninë e Veriut janë bërë gjithsej nëntë regjistrime, 1948, 1953, 1961, 1971, 1981, 1991, 1994 dhe 2002 dhe ky i vitit 2021.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore