Sport

Sot mbyllet java e 12-të, luhet për kreun në Superligën e Kosovës


Sot mbyllet java e 12-të në Superligën e Kosovës, me dy ndeshje në program.

Në bisedë është kreu, me Drenicën dhe Ballkanin që udhëtojnë për të luajtur takimet e tyre kundër skuadrave në gjysmën e poshtme të tabelës.

Ditën e nis Ballkani, në orën 13:00, me vizitën te Ulpiana.

Skuadra e Bekim Isufit, ende e pa takuar me humbjen këtë sezon, kërkon të vazhdojë ecurinë e mirë dhe të marrë përsëri kreun nga Drita.

Pas fitores 2-0 ndaj Prishtinës, Ballkani përballet me Ulpianën e vendit të parafundit, që kërkon largimin nga zona e ftohtë.

Edhe Ulpiana vjen pas fitores 1-2, në fushën e Malishevës.

Skuadra e ngjitur këtë edicion në ligë, do të shpresojë edhe në një rezultat negativ të Prishtinës, për t’u afruar me ta në rast të fitores eventuale.

Pikërisht kryeqytetasit, 30 minuta më vonë e nisin ndeshjen e tyre.

Në “Fadil Vokrri”, ata presin Drenicën që po kalon formë të luhatur, me tre fitore dhe dy humbje në pesë të fundit.

Edhe forma e Prishtinës nuk është më e mira, me bardheblutë që kanë fituar vetëm një nga pesë të fundit, duke humbur dy dhe duke barazuar dy.

Me një fitore, Prishtina do të ngjitej mbi Llapin, kurse Drenica kërkon që me tre pikësh të mbaj hapin për titull.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore