Lajme

Sot 72 vjet NATO, Blinken mesazh urimi


Si sot 72 vjet më parë, në kryeqytetin amerikan, Washington D.C., u themelua Organizata e Paktit të Atlantikut të Veriut (NATO).

Sekretari i Shtetit në SHBA, Antony Blinken, ka uruar themelimin e organizatës, në vitin 1949.

“72 vjet. Ende duke vazhduar fuqishëm. Një aleancë e vyer, e cila na mban të sigurt dhe na sjell prosperitet. Gëzuar përvjetorin NATO”.

Organizata ka aktualisht 30 vende anëtare. Ajo u themelua më 4 prill 1949, në Washington, SHBA.

Vendet themeluese janë: SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe, Italia, Kanadaja, Holanda, Belgjika, Norvegjia, Danimarka, Portugalia, Luksemburgu dhe Islanda.

Sipas traktatit, organizata ndihmon nëse një nga vendet përfshihet në luftë ose gjendet në rrezik. Anëtarët dhe fuqitë e tyre ushtarake ndërhyjnë në shuarjen e konfliktit.

NATO ndërhyri me fuqitë ushtarake duke bombarduar Serbinë dhe duke i dhënë fund luftës në Kosovë.

Shqipëria është anëtarësuar në NATO më 1 prill 2009. Më 4 prill 2009 ndërkohë, vendi ynë është përfaqësuar për herë të parë në samitin e organizatës.

Shqipëria ka kaluar nëpër disa momente kryesore, për t’u anëtarësuar në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut NATO.

Në vitin 1992, Shqipëria u pranua zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC). Këshilli ishte organizmi i parë që Aleanca krijoi për të ndërtuar marrëdhëniet me shtetet që dolën nga regjimet komuniste në Evropën Qendrore dhe atë Lindore.

Nga viti 1992 deri në vitin 1999, qeveritë shqiptare vazhduan përpjekjet rreth procesit të aderimit. Gjatë këtyre viteve, vendi u përfshi në iniciativa të ndryshme dhe nënshkroi disa dokumente që do t’i hapnin rrugën procesit të anëtarësimit të plotë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore