Sport

Sot 36 vjeç, Cristiano Ronaldo ende në Olimp të futbollit


Futbollsti aktual i Juventus-it, legjenda e Real Madrid-it, Manchester United-it dhe Portugali-së sot, të premten e 5 shkurtit, mbush 36 vjeç.

I cilësuar nga shumë si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, Cristiano po i afrohet fundit të karrierës në bazë të moshës, por nëse e shikojmë në anën e performancave, portugezi po plaket si një “verë e mirë”.

Cristiano Ronaldo është një ndër lojtarët më të dekoruar në sport, edhe në aspektin individual, edhe në aspektin kolektiv.

Cristiano karrierën e tij e filloi në vitin 2002 me skuadrën e Sporting Lisbon kur ishte vetëm 17 vjeç, dhe afro 20 vite më pas, ai është ende në majën e këtij sportii.

Me klubet, statistikat e Cristiano Ronaldo-s janë marramendëse, ai ka zhvilluar 872 ndeshje gjatë jetës së tij në Portugali, Angli, Spanjë dhe Itali.

Me Sporting Lisbon-ën, ai luajti 31 ndeshje duke shënuar pesë gola dhe dhënë katër asiste.

Me Manchester United-in, ai zhvilloi 292 ndeshje, shënoi 118 gola dhe dhuroi 68 asiste.

Me Real Madrid-in, ai zhvilloi 438 ndeshje, shënoi 450 gola dhe 138 herë dha pasim vendimtar për golin.

Me Juventus-in, deri më tani, Cristiano ka zhvilluar 112 ndeshje, duke shënuar 87 gola dhe duke dhënë 21 asiste.

Edhe me Portugali-në, Cristiano Ronaldo ka zhvilluar një karrierë mbresëlënëse deri më tani.

Në 170 ndeshje të zhvilluara me kombëtaren, ai ka shënuar 102 herë dhe ka asistuar 41 herë.

Cristiano Ronaldo është golashënuesi më i mirë në histori të futbollit, me 762 gola, ai së fundmi parakaloi Josef Bican dhe Pele-n në këtë listë.

Portugezi është golashënuesi më i mirë në histori të Champions League, me 134 gola.

Ai është vetëm tetë gola largë që të bëhet edhe golashënuesi më i mirë në histori të kombetarëve, ku ka shënuar 102 gola, shtatë më pak se Ali Daei, përfaqësuesi i Iran-it që ka shënuar 109.

Cristiano Ronaldo ka fituar pesë topa të artë, katër këpuca të arta, tre herë lojtari më i mirë i UEFA-së, katër herë lojtari më i mirë i FIFA-s, pesë herë lojtari i vitit në ligat përkatëse, dhjetë herë lojtari i vitit në Portugali, 17 herë top golashënues në çdo kompeticion që ka marrë pjesë.

Në aspektin kolektiv, Cristiano Ronaldo është po aq i dekoruar sa në aspektin individual:

Te Sporting Lisbon, ai ka fituar një super kup.

Te Manchester United, ai ka fituar: Tre Premier League, një FA kup, dy kupa të ligës, një Champions League, një kup të botës për klube, dy superkupa të Anglisë.

Te Real Madrid ka fituar: Dy La Liga, dy kupa të mbretit, dy superkupa të Spanjës, katër Champions League, tre botëror të botës për klube, tre superkupa të evropës.

Te Juventus ka fituar: Dy Serie A, dy superkupa të Italisë.

Më Portugali-në, ka fituar: Një EURO, një Nations League.

Në total, këto janë statistikat e Cristiano Ronaldo-s:

Ndeshje të luajtura: 1042

Gola të shënuar: 762

Asistime: 267

Topa të artë: 5

Total trofe individual: 48

Trofe kolektiv: 33

Urime ditëlindjen, legjendë!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore