Shqipëria

Soreca i lumtur për mbërritjen e vaksinave, “kemi dhënë 2.2 miliardë euro për Covax”


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, është i kënaqur për mbërritjen e dozave të AstraZeneca-s në Shqipëri ditën e djeshme. Për këtë, ai ka bërë një postim në Twitter.

“I lumtur të shoh Shqipërinë që merr dërgesën e dytë nga mekanizmi Covax, me 40 mijë e 800 vaksina për të luftuar Covid-19”.

Ndër të tjera, ambasadori ka shtuar se ekipi evropian është kontribuues kryesor në luftën ndaj pandemisë.

“BE-ja dhe vendet anëtare janë krenare të kontribuojnë 2.2 miliardë euro për Covax”, shkruan ai.

Një mesazh ka shkuar edhe për qytetarët në Shqipëri. Sipas Soreca-s, BE-ja është aty për mbështetur popullin shqiptar. Gjithashtu, për të mundur pandeminë së bashku.

Vaksinimi në gjithë Evropën, edhe pse shpesh me vështirësi, vazhdon. Shqipëria në dy javët e fundit është renditur ndër vendet me performancë më të lartë për doza të administruara për 100 banorë.

Në Shqipëri, pritet të mbërrijnë mbi 1 milionë doza AstraZeneca falë mekanizmit Covax. Janë ndërkaq edhe mbi 1 milionë doza të tjera nga kompania kineze Sinovac.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore