Shqipëria

Soreca: BE është partneri i parë dhe më i besueshëm i Shqipërisë


Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca

17 shkurti përkon me një vjetorin e konferencës së donatorëve “Bashkë për Shqipërinë”, ku u mblodhën 1.15 miliardë euro fonde për të përballuar dëmet nga tërmeti i rënë në 26 nëntor 2019.

Për këtë fakt, Abasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, ka theksuar nëpërmjet një postimi në Twitter se “BE-ja është donatori i parë dhe më i besueshëm i Shqipërisë në rrugën drejt integrimit”.

“Jemi një vit nga konferenca e donatorëve. Kthejmë sytë mbrapa nga solidariteti i pashembullt i BE-së ndaj qytetarëve shqiptarë”, shkruan Soreca. “Premtuam të ndihmojmë Shqipërinë për t’u rimëkëmbur nga tërmeti. Tashmë, po e mbajmë fjalën duke investuar mbi sektorët e edukimit dhe kulturës”.

Ambasadori thekson se “asgjë nuk mbart qëndrueshmëri dhe besim më të lartë për të ardhmes, se sa shkollat më të mira”. “Shkolla të reja po ndërtohen me angazhimin e autoriteteve vendore. Standardet më të larta po ndiqen për ri jetësimin e kulturës”.

Ndër sektorët e tjerë që përftojnë janë edhe ekonomia dhe turizmi. Sipas ambasadorit, “kjo do të ndikojë drejtpërdrejtë edhe në forcimin e marrëdhënieve historike Shqipëri-BE”. “Përgjigja e Evropës tregon pikërisht mbështetjen gjatë gjithë vitit të kaluar” përmbyll postimin Soreca.

Konferenca e donatorëve dhe replikat Rama-Soreca

Në konferencën e donatorëve të 17 shkurtit, Shqipëria nuk përfitoi thjeshtë donacionet e BE-së. 400 milionë euro shtesë, iu dhanë vendit tonë nga Banka Evropiane e Investimeve. 115 milionë prej tyre, ishin në formë grantesh të drejtpërdrejta nga Komisioni Evropian.

Në maj të vitit 2020, BE-ja solli në jetë programin EU4Schools, me një fond prej 75 milionë eurosh. Ky program i vënë në zbatim nga Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, do të ndihmonte në rindërtimin dhe rikonstruktimin e 58 shkollave të dëmtuara në 11 bashki të ndryshme.

Marrëdhëniet Shqipëri-BE, u vunë në diskutim pas replikave që kryeministri Edi Rama, pati ambasadorin Soreca mbi çështjen e vaksinave.

Rama cilësoi në janar se “BE-ja i kishte kthyer shpinën Ballkanit Perëndimor dhe e kishte lënë të përballej i vetëm me pandeminë”.

Kësaj deklarate të Ramës, Soreca, iu përgjigj duke thënë se: “Procesi i sigurimit të vaksinës është i ndërlikuar. Zhgënjimi është i kuptueshëm por duhet durim”.

Me sigurimin e vaksinave nga Tirana zyrtare, këto replika u harruan. Soreca në janar deklaroi gjithashtu se negociatat me Shqipërinë, do të hapen brenda gjashtë muajve të parë të 2021-shit, nën presidencën portugeze”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore