Lajme

Sondazhet për zgjedhjet e Izraelit: Nëse mbahen tani, Netanyahu s’mund të formojë koalicion


Lideri i opozitës në Izrael, Benjamin Netanyahu, nuk do të ishte në gjendje të siguronte shumicën e nevojshme të Knesset (Parlamenti izraelit – AP) për të formuar një koalicion nëse zgjedhjet do të mbahen tani.

Kjo, sipas tre sondazheve të reja.

Një sondazh i Transmetuesit Publik Kan i jep bllokut të krahut të djathtë të Netanyahut 60 vende në Knesset, ndërsa sondazhet nga kanalet 12 dhe 13 i japin atij 59 vende – pak nga minimumi prej 61 vende që do t’i nevojiteshin Netanyahut për të formuar një qeveri.

Sondazhet, po ashtu, tregojnë se Yesh Atid do të fitonte disa vende më tepër në krahasim me 17 vendet e saj aktuale.

Të hënën, kreu i opozitës u zotua se do të krijojë “një qeveri kombëtare të gjerë, të fortë dhe të qëndrueshme… që do të sillte krenarinë kombëtare” pas vendimit për të votuar për shpërndarjen e Knesset-it dhe kthimin në votime.

Në një video ngazëllyese të publikuar në mediat sociale, Netanyahu tha se “është e qartë për të gjithë se kjo qeveri, dështimi më i madh në historinë e Izraelit, është në fund të rrugës së saj… një qeveri e varur nga mbështetësit e terrorit, që neglizhoi sigurinë e qytetarëve të Izraelit dhe kjo e ngriti koston e jetesës në lartësi të reja”.

Sipas sondazhit të Channel 12, partia Likud do të marrë 35 vende, Yesh Atid e Yair Lapid 20, Kahol Lavan i Benny Gantz nëntë, Zionizmi Fetar i ekstremit të djathtë nëntë, partia ultra-ortodokse Sefardi Shas tetë dhe UTJ shtatë.

Partia Laburiste e Izraelit do të mblidhte gjashtë; ndërsa pesë vende do t’i takonin Yisrael Beiteinu të Avigdor Lieberman dhe Listës së Përbashkët Arabe.

Nga katër vende do t’i takojnë Meretz-it të krahut të majtë, Shpresës së Re të Gideon Sa’ar, Partisë Islamike Lista e Bashkuar Arabe dhe Yamina e Naftali Bennett.

Sondazhi i Channel 13 i jep 35 vende Likud-it, 22 Yesh Atid, nëntë sionizmit fetar, tetë Shas-it, shtatë Judaizmit Tora të Bashkuar (UTJ), shtatë Kahol Lavan, gjashtë Listës së Përbashkët, pesë Laburistëve dhe Yisrael Beiteinu dhe nga katër Yamina-s, Shpresa e Re, Meretz dhe Listës së Bashkuar Arabe.

Ky sondazh u krye së bashku me profesor Camil Fuchs, ekspert në fushën e statistikave dhe u anketuan 701 njerëz, nga të cilët 600 ishin hebrenj.

Sondazhi i Kan, i cili ishte një sondazh në internet me 550 persona, i jep Likud 36 vende, Yesh Atid 21, Kahol Lavan dhe Zionizmi Fetar nëntë, Shas tetë, Judaizmi të Torës së Bashkuar shtatë, Listës të Përbashkët dhe Labor gjashtë, Yamina-s dhe Yisrael Beiteinu pesë dhe katër për Shpresën e Re, dhe Listën e Bashkuar Arabe. Në atë sondazh, Meretz nuk e kalon pragun elektoral.

Këto sondazhe tregojnë se Likud ka fituar një rezultat më të lartë se në zgjedhjet e mëparshme – në të cilat mori 29 vende – por ende nuk arriti të siguronte një shumicë.

Në Knesset-in aktual, Yesh Atid ka 17 vende; Shas nëntë; Kahol Lavan tetë; Judaizmi i Bashkuar Tora, Sionizmi Fetar, Yisrael Beiteinu dhe Labour shtatë dhe Lista e Përbashkët, Meretz, Shpresa e Re dhe Yamina gjashtë. Lista e Bashkuara Arabe ka katër vende dhe Amichai Chikli është aktualisht i pavarur.

Kryeministri Naftali Bennett dhe ministri i Jashtëm, Yair Lapid, njoftuan se do të lëvizin për të shpërbërë koalicionin e tyre të ri qeverisës, pak më shumë se një vit pasi u formua.

Të mërkurën, Knesset do të votojë legjislacionin për shpërndarjen e parlamentit, i cili do të kërkojë lexime shtesë.

Megjithatë, qëllimi i koalicionit është që të shohë miratimin e ligjit nga mesi i javës së ardhshme, dhe kështu të parandalojë formimin e një qeverie alternative të udhëhequr nga Netanyahu përpara se izraelitët të mund të votojnë.

Marrë nga Haaretz, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore