Shqipëria

Sondazh/Presidenca institucioni me besueshmëri më të ulët, menaxhimi i pandemisë i mirë


Një sondazh i publikuar nga Euronews Albania, ka nxjerrë Presidencën si institucionin me besueshmëri më të ulët në Shqipëri. Përsa i përket menaxhimit të situatës së Covid-19, shqiptarët e cilësojnë si pozitive punën e qeverisë.

Sondazhi është zhvilluar në bashkëpunim me kompanie MRB. Në fokus ka qenë besimi tek institucionet, pandemia dhe situata pas tërmetit. Intervistimi është shtrirë në periudhën 22 dhjetor-13 janar.

Përsa i përket besueshmërisë, komuniteti ndërkombëtar është në nivelet më të larta, me 47,9%. Një shifër të lartë gëzon edhe sistemi i kujdesit shëndetësor, me 46%. Kjo shifër është domethënëse, mbi të gjitha duke qenë se jemi në periudhë pandemie.

Media televizive dhe arsimi janë gjithashtu ndër më të besuarat. 42% e shqiptarëve ndërkohë, e kanë cilësuar si të besueshme Qeverinë Qendrore. Mbi mesatare janë edhe përfaqësuesit fetarë, Prokuroria, Policia dhe Qeveria Lokale.

Ndërkohë që media televizive ishte lart në renditje, ato online radhiten poshtë mesatares, me 35,9%. Me besueshmëri më të ulët vijojnë opozita me 34,5% dhe shoqëria civile me 32,4%. Gjykatat ndërkohë, janë në 29,6%.

Dy institucionet më pak të besueshme të shqiptarëve janë Parlamenti dhe Presidenca. Kjo e fundit në fakt, gëzon vetëm 19,2%. Ky është një tregues se qasja politike që ka marrë Presidenca, në vend të asaj mbi palët, që duhet të ruajë, nuk gëzon mbështetje popullore sipas sondazhit.

Menaxhimi i pandemisë dhe tërmetit

Përsa i përket punës së qeverisë dhe reagimit ndaj Covid-19, shqiptarët mendojnë se masat e marra kanë qenë pozitive, në masën 63,9%. Prej tyre, 18,7% mendojnë se puna ka qenë shumë pozitive. 45,2% ndërkohë, mendojnë se ka qenë disi pozitive.

Disi negative e cilësojnë punën 24% e të anketuarve. Shumë negative ndërkohë, 12,1% e tyre. për një tërësi prej 36,1% të pakënaqurish nga puna e qeverisë me pandeminë.

Përsa i përket masave financiare nga ana tjetër, kemi një baraspeshë në qasjen e shqiptarëve. 49% mendojnë se masat e marra kanë qenë të mira. 50,4% mendojnë se masat kanë qenë jo të efektshme. Kjo duke parë edhe vështirësitë financiare të shqiptarëve.

Mbi raportimin e rasteve të reja me Covid, ka sërish një baraspeshë. 40,3% e shqiptarëve mendojnë se rastet reale janë më tepër se sa ato që raportohen. Besim se rastet janë të sakta, kanë 41,3% e të anketuarve. Një shifër e kosiderueshme, është edhe ajo e atyre që mendojnë se ka më pak raste, me 13,6%.

Një seksion i veçantë i është kushtuar edhe tërmetit, ku 73,6% e të pyeturve, mendojnë se përgjigja e qeverisë menjëherë pas tërmetit, ka qenë e mirë. Pjesa e mbetur mendojnë se reagimi nuk ka qenë i duhur.

Punën e mëvonshme të qeverisë me pasojat e tërmetit, e cilësojnë si të mirë 58,1% e shqiptarëve. Atë të pushtetit lokal nga ana tjetër, e konsiderojnë të mirë 49,2% e popullsisë.

Përsa i përket masave dhe ndihmave, 60,5%, mendojnë se kanë qenë në nivelin e duhur. Mbi arsyet e vdekjeve dhe dëmeve të shkaktuara, 73,3% e të pyeturve mendojnë se fajtore janë standardet e dobëta të sigurisë së ndërtesave. 55,4% mendojnë se forca e tërmetit ishte shumë e madhe, ndaj kishte aq dëme. Për vjetërsinë e ndërtesave, vetëm 25,9% mendojnë se ka qenë faktor i dëmeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore