Lajme

Smith: SHBA-të mbështesin integrimin e Kosovës në NATO


Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith.

Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, ka deklaruar se Aleanca Veri-Atlantike është e shqetësuar për paqen dhe stabilitetin në Ballkan Perëndimor, pas shpërthimit të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Ajo ka përsëritur qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarësimin e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s.

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin integrimin e Kosovës në organizatat dhe institucionet evropiane apo euroatlantike. Ne besojmë se vendet duhet të kenë të drejtën të përcaktojnë bashkimin dhe anëtarësimin e tyre”.

“Ne sigurisht që do të mbështesnim lëvizjen e Kosovës drejt programit të Partneritetit për Paqe”, ka thënë Smith për Radio Evropa e Lirë.

Ndër të tjera, ka theksuar se vendimi për anëtarësimin e ndonjë vendi në këtë program sikurse në vetë NATO-n merret me konsensus të 30 vendeve anëtare.

“Nuk ka votim me shumicë të kualifikuar. Këtu të gjitha vendimet merren mes nesh, 30 anëtarëve. Ky është termi që ne përdorim, ku të 30 shtetet duhet të pajtohen për këtë. Pra, ky do të jetë një vendim që do të duhet të merret me konsensus nëse Kosova vendos të përpiqet të ecë drejt Partneritetit për Paqe”.

Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith.

Më 16 mars, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte bërë të ditur se i ka shkruar presidentit amerikan për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO, me ç’rast ka kërkuar nga ai që anëtarësimi i Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike të shihet nga prizmi i sigurisë e jo vetëm nga kriteret politike.

“Prandaj unë i kam shkruar edhe presidentit të SHBA-ve rreth kësaj çështje dhe kam komunikuar edhe me shtetet e tjera duke pas parasysh që Kosova është shteti më pro-NATO në botë dhe që anëtarësimi i të gjitha shteteve të kësaj pjese të Evropës në NATO do të nënkuptonte më shumë siguri, stabilitet dhe rrjedhimisht do të kishte më pak jo stabilitet në rajonin tonë”, ka thënë Osmani.

Ndryshe, partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, që synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare të NATO-s dhe shteteve të tjera në Evropë.

Sipas NATO-s, Partneriteti për Paqe ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s.

Ky program përfshin pothuajse çdo fushë të aktivitetit të NATO-s, si: puna e lidhur me mbrojtjen, forumet e mbrojtjes, trajnimet, stërvitjet ushtarake, planifikimet për përgjigje të emergjencave civile dhe katastrofave të tjera, por edhe bashkëpunimin në shkencë dhe mjedis. Në përgjithësi janë afër 1,600 aktivitete.

Aktualisht, pjesë e Partneritetit të Paqes janë 21 shtete.

Ndërsa, pranimi i çdo anëtari të ri bëhet me vendimin unanim të 30 shteteve të aleancës, në një votim që mbahet në Këshillin e Atlantikut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore