Lajme

Sloganet e partive politike për zgjedhjet lokale në Kosovë


Ilustrim

Subjekti politik “Lëvizja Vetëvendosje”, do t’i futet garës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit me sloganin “Bashkë Qeverisim”.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi në Facebook nga kjo parti, ku kanë theksuar se bashkë “do të qeverisim drejt zhvillimit, drejtësisë dhe mirëqenies për të gjithë”.

Vetëvendosje këtë slogan e ka ndërlidhur me fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, duke kërkuar që suksesin e njëjtë ta përsërisin edhe në komuna.

“Bashkë Qeverisim sepse punën që e filluam me qeverinë po e vazhdojmë me komunat. Për qeverisjen lokale me program modernizues, të ndershëm e humanist që ju do e jetësoni duke mbështetur kandidatë tanë me 17 tetor”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Slogani i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet lokale 2021

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, ka hapur fushatën zgjedhore të premten e 16 shtatorit, përmes platformës online të teknologjisë informative me sloganin “Bashkë për Kosovën”.

Kjo formë e hapjes së prezantimit të programit u bë për shkak të gjendjes së rëndë pandemike të krijuar kohëve të fundit në Kosovë.

Slogani i PDK-së për zgjedhjet lokale 2021

Njëjtë si PDK edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, hapjen e fushatës e ka bërë në mënyrë digjitale.

Në hapjen e kampanjës, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka treguar se kësaj radhe LDK garon me sloganin “Për të gjithë”.

Slogani i LDK-së për zgjedhjet lokale 2021

Ndërkohë, të gjitha partitë opozitare në Kosovë janë deklaruar se do të orientohen në fushatë digjitale dhe jo konvencionale për shkak të pandemisë COVID-19.

Fushata zgjedhore ka nisur zyrtarisht për subjektet politike në Kosovë, të cilat do të garojnë në zgjedhjet lokale të vitit 2021 me kandidatët e tyre për kryetarë komunash.

Madje, disa prej tyre janë shprehur të gatshme për shkurtimin e periudhës së fushatës zgjedhore.

Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për kanë deklaruar për Albanian Post se në mënyrë të njëanshme është marrë vendim që ky subjekt politik të shkurtojë fushatën zgjedhore nga 30 ditë në vetëm pesë ditë, duke u fokusuar në fushatë digjitale.

“Nga gjendja e shkaktuar për shkak të keqmenaxhimit pandemik e të paprecedentë, vendosëm që në mënyrë krejtësisht vullnetare, fushata konvencionale zgjedhore të shkurtohet nga 30 ditë në vetëm pesë ditë”.

“Fushata do të fillojë sot ligjërisht por nuk do të orientohemi në fushatë konvencionale, nuk do të ketë tubime. Fushata do të mbahet vetëm në formë digjitale”.

Shpalosja e programit për vetëm pesë ditë do të praktikohet edhe nga partia politike opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Zëdhënësi i AAK-së, Lulzim Blaka, për Albanian Post ka thënë se secili kandidat për kryetar të komunave do të ketë në dispozicion pesë ditë për ta prezantuar plan programin e vet.

“Në secilën komunë, secili kandidat e shpalosë programin në një ditë që e sheh të përshtatshme. Secili nga ta i ka nga pesë ditë por megjithatë, edhe në ato pesë ditë do t’iu ikin tubimeve të mëdha”, ka thënë Blaka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore