Pajisje

Skydio, drone në ndihmë të policisë


Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 20 departamente policore janë pajisur me dronë vetëfluturues të kompanisë së prodhimit të dronëve të quajtur Skydio.

Revista e biznesit, Forbes, tregon se Agjencia Federale e SHBA-ve për Doganën dhe Mbrojtjen Kufitare (CBP), ka vendosur tre vite më parë një urdhër për dronët vetëfluturues, të cilët mund të niseshin vetë, të lokalizonin dhe të monitoronin objektiva të shumtë në tokë pa nevojën e ndërhyrjes njerëzore.

CBP-ja e arsyetoi urdhrin me idenë se niveli, i kërkuar i monitorimit për sigurinë kufitare të Amerikës nga qielli, ishte tepër i rëndë të realizohej vetëm nga njerëzit.

Forbes zbulon se, për të arritur këtë, CBP-ja dorëzoi për ndërtimin e dronëve vetëdrejtues 500 mijë dollarë te një organizatë jofitimprurëse të quajtur Mitre.

Mirëpo, dronët pa pilotë të Mitre-s nuk arritën të ngriheshin gjatë testimit, për shkak se hendeku i simulimit në realitet ishte shumë më i madh nga ç’ishte parashikuar prej hulumtuesve.

Kjo nuk e ndali CBP-në të ndërmerrte hapa të tjerë drejt realizimit të planit. Këtë vit, policia kufitare e Amerikës do të testojë dronë të automatizuar të Skydio-s, i cili ka njoftuar se ka arritur të mbledhë 170 milionë dollarë për financimin e sipërmarrjes, duke e çuar totalin e përgjithshëm në 340 milionë dollarë.

Tanimë, 20 agjenci policore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë pajisur me flotën e tyre të dronëve të Skydio-s, duke përfshirë qytete të mëdha si Austin dhe Boston.

Sipas bashkëthemeluesit dhe shefit ekzekutiv të kompanisë, Adam Bry, beson se Skydio-ja do ta çojë botën drejt një vendi ku dronët nuk kanë nevojë për një pilot, pavarësisht nëse janë për të ndihmuar policinë apo për shpërndarjen e mallrave.

“Autonomia, aftësia thelbësore për t’i dhënë një droni aftësinë e një piloti ekspert të integruar në software dhe hardware, është gjëja për të cilën jemi gati si kompani”, është shprehur Bry.

Sipas Forbes, kompania pretendon të dërgojë dronë më të përparuar, të cilët mbështeten nga inteligjenca artificiale. Vlera e tyre do të jetë vetëm 1 mijë dollarë dhe do të jenë në gjendje të shmangin të gjitha llojet e pengesave, duke kapur video me cilësi të lartë.

Madje, veçantia e dronëve të udhëhequr nga inteligjenca artificiale do të jetë aftësia që software-i i tyre të parashikojë lëvizjen e radhës të objektivit, i cili mund të jetë këmbësor apo automjet.

Nga ana tjetër, puna me departamentet policore mendohet të jetë pjesë e përpjekjeve të Skydio-s kundër lojtarit dominues, DJI, i cili zotëron rreth 80% të tregut të dronëve komercialë.

Sidomos vendimi i fundit i qeverisë amerikane për të shtuar DJI-në në listën e njësive të Departamentit të Tregtisë, ka bërë që agjencitë policore të eksplorojnë pajisjet që ofron kompania, e ka nxitur akoma edhe më shumë Skydio-n të ndërmarrë iniciativa të ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore