Lajme

Skulptori danez kërkon mbrojtje ligjore për të marrë statujën e Tiananmen-it nga Hong Kong-u


Skulptori danez i një statuje që përkujton protestuesit pro-demokracisë të vrarë gjatë goditjes në sheshin Tiananmen të Kinës në 1989-n, u ka kërkuar autoriteteve të Hong Kong-ut imunitet nga një ligj i sigurisë kombëtare.

Kjo në mënyrë që ta kthejë statujën në Danimarkë.

Skulptori, Jens Galschiot, ia dha skulpturën prej bakri tetë metra të lartë të quajtur “Shtylla e Turpit” një grupi lokal të shoqërisë civile, Aleanca e Hong Kong-ut në Mbështetjen e Lëvizjeve Demokratike Patriotike në Kinë.

Statuja është ekspozuar në Universitetin e Hong Kong-ut për më shumë se dy dekada, tregon e përditshmja “The Guardian”.

Pasi aleanca u shpërbë në shtator me disa anëtarë të akuzuar për shkelje të sigurisë kombëtare, universiteti i kërkoi grupit të hiqte statujën.

“Mund të kuptoj nga shtypi se futja e legjislacionit të ri të sigurisë në Hong Kong do të thotë se ekziston një bazë ligjore për arrestimin e shtetasve të huaj që angazhohen në aktivitete që kritikojnë Kinën”, ka shkruar Galschiot në një letër të hapur.

Artisti ka shtuar se heqja e statujës “do të çojë në aktivitete dhe mbulim mediatik që mund të perceptohet si kritikë ndaj Kinës. Prandaj, do të më duhet të marr garanci se bashkë me punonjësit e mi nuk do të ndiqemi penalisht”.

Galschiot, i cili e vlerëson statujën në rreth 1.4 milionë dollarë, ka rrëfyer se është i gatshëm ta kthejë atë në Danimarkë, por se prania e tij në Hong Kong ishte e nevojshme që operacioni kompleks të shkonte mirë.

Sipas tij, është i nevojshëm edhe bashkëpunimi nga universiteti dhe autoritetet e qytetit për asistencë teknike, bllokime rrugore dhe leje.

Në vitin 2020, Pekini vendosi një ligj gjithëpërfshirës të sigurisë kombëtare në Hong Kong për të ndëshkuar atë që e sheh si përmbysje, përçarje, terrorizëm dhe bashkëpunim me forcat e huaja.

“The Guardian” tregon se aktivistët demokratë dhe disa qeveri perëndimore kanë ravijëzuar se ligji i sigurisë është një mjet për të heshtur mospajtimin dhe për ta vendosur Hong Kong-un në një rrugë autoritare.

Ndërkaq, autoritetet kineze dhe të qytetit kanë pohuar se Hong Kong-u ende qeveriset nga sundimi i ligjit dhe se të drejtat dhe liritë individuale mbeten të paprekura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore