Sport

“Skifterët” u futën në shtëpinë e Gianni Riverës, më pas i vunë flakën


Dy shqiptarë kanë marrë qendrën e vëmendjes së mediave italiane, pasi ata u kapën në flagrancë, duke grabitur shtëpinë e legjendës së futbollit, Gianni Rivera.

Mbi të gjitha, ajo çfarë ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve, është mënyra se si dy shqiptarët do të kryenin grabitjen.

Ata ishin të pajisur me një aparaturë që nxjerr flakë dhe përdoret për të shkrirë metale. Kështu, ata mendohej se do të hapnin kasafortën, ku Rivera mbante sendet me vlerë.

Vetëm se, në çastin kur ata kanë kërkuar të hyjnë në dhomën e kasafortës Rivera, i kanë vënë aksidentalisht flakën shtëpisë. Kjo ka bërë që ata të nxitojnë në marrjen e sendeve me vlerë, për t’i shpëtuar edhe përhapjes së flakëve.

Veçse, sapo kanë dalë nga shtëpia, ata kanë rënë në prangat e Policisë së Trevit, e cila po i priste aty.

Gjithçka skifterët kishin marrë, ishin një trofe i kurorës së artë, një pllakate e klubit të Milanit, një fanellë me numër 11 të Zlatan Ibrahimovic dhe një pllakë të Ligës Kombëtare Amatore, që i qe dhënë Riverës në kohën kur shkëlqeu fillimisht në futboll.

Një shumë prej 6 mijë e 345 eurosh u mor po ashtu nga shtëpia.

Por, “skifterët”, nuk do të gëzojnë sigurisht asnjë të mirë materiale, përtej burgut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore