Pajisje

Skanimi 3D i favelës në Brazil


Në laboratorin digjital, MIT Senseable City Lab, studiuesit kanë përdorur teknologjinë 3D të skanimit për të analizuar arkitekturën e favelës më të madhe të Brazilit të quajtur Rocinha.

Dezeen, faqe kushtuar dizajnit dhe arkitekturës, tregon se projekti i quajtur Favela 40 për të studiuar formën e Rocinha-s, përdor të dhëna të pikave në cloud nga skanimet manuale Lidar.

Këto vendbanime urbane të skanuara, të cilat kanë të ardhura të ulëta kanë struktura komplekse të ndërtuara nga banorët e tyre gjatë kohës.

Për sa i përket projektit, ai u realizua nën drejtimin e arkitektit dhe drejtuesit të laboratorit, Carlo Ratti dhe u përmbyll në bashkëpunim me komisionerin e planifikimit të qytetit, Washington Fejardo.

Ky i fundit hyri me këmbë nëpër Rocihna dhe kapi të dhëna nga një pajisje dore Lidar, e cila përdor një impuls lazeri për të matur distancat.

Ndërkohë, pikat e vogla janë të shënuara te vendet nëpër hapësirë. Kjo për të krijuar një set të të dhënave që zbulojnë detajet e ndërlikuara të një mjedisi 3D.

Ratti së bashku me një nga studiuesit e MIT-it, Fabio Duarte, kanë shpjeguar avantazhet e hartëzimit të favelës më të madhe të Brazilit krahasuar me përdorimin e pajisjeve me burim të hapur të hartës siç është Google Street View.

“Teknologjitë e Street View nuk hyjnë në rrugicat e ngushta, në shkallët e improvizuara apo infrastrukturat e zakonshme të vendbanimeve joformale”, është shprehur Duarte.

Ai ka vazhduar se “pajisjet e dorës Lidar të lejojnë të shkosh kudo. Ato gjithashtu ruajnë privatësinë e një komuniteti sepse nuk mbledhin imazhe aktuale”.

Të dhënat janë përdorur jo vetëm për të analizuar vetë favelën, por edhe për të realizuar krahasime me vendbanime të ngjashme në të gjithë botën.

Lidhur me analizimin, ekipi i MIT-it përdori pesë faktorë. Gjerësinë e rrugës, gjatësinë e saj, dendësinë e fasadave, ndryshimet në lartësinë e tyre dhe raportin ndërmjet lartësisë së fasadave dhe gjerësisë së rrugëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore