Sport

Skandali “Barcagate”, Bartomeu refuzon të dëshmojë para gjyqit


Josep Maria Bartomeu, ish-presidenti i Barcelonës, u arrestua mëngjesin e 1 marsit së bashku me bashkëpunëtorët e tij, Oscar Grau, Roman Gomez Ponti, Jaume Maferrer.

Sipas raportimeve të mediave katalunase, ai dhe Jaume Maferrer mbrëmë u mbajtën nën arrest.

Sot kjo dyshe duhej të përballet me gjyqtarët, por ata refuzuan.

Ata janë liruar përkohësisht, por hetimet do vazhdojnë mbi këte çështje.

Bartomeu dhe Maferrer nuk do kenë më mundësi refuzimi, dhe do të jenë të detyruar të dëshmojnë para gjyqit në një afat të dytë.

Ngjarja është e lidhur me skandalin e “Barcagate”: disa kompani ishin kontraktuar nga ish-presidenti për shkatërrimin e imazhit të njerëzve, grupeve dhe futbollistëve që publikisht ishin kundër presidencës së Bartomeu-t.

Emrat kryesorë që ishin pikësynim të Bartomeu-t dhe grupit të tij janë: Lionel Messi, Gerard Pique, ish-futbollisti Xavi dhe kandidatët për president, Victor Font dhe Joan Laporta.

Çfarë është “Barcagate”?

Gjithçka nisi me një investigim nga Cadena Ser në vitin 2017.

Barcelona kishte punësuar një kompani të mediave sociale, I3 Ventures, për të shkatërruar imazhin dhe reputacionin e disa individëve, të cilët cilësoheshin “të rrezikshëm” për grupin e Bartomeu-t.

Sipas raportimeve të Cadena Ser, Barcelona kishte paguar një shumë rreth afro 1 milion euro për I3 Ventures.

Në përpjekje për t’u larguar nga hetimet, grupi i Bartomeu-t kishte nënshkruar pesë kontrata legale, në emra të ndryshëm, secila me vlerë rreth 200 mijë euro.

I3 Ventures kishte krijuar një seri të faqeve në mediat sociale, në pajtim me kontratën e nënshkruar, me qëllim kryesor që të mbrohej imazhi i bordit presidencial.

Fillimisht u hapën gjashtë faqe në Facebook, si vijojnë:

Mes Que Un Club (66 mijë ndjekës), Respeto y Deporte (56 mijë), Alter Sports (27 mijë), Sport Leaks (21 mijë), Justicia y Dialogo en el deporte (tetë mijë e 500), dhe Jaume, un film de terror (pesë mijë).

Me synim kryesor yllin e skuadrës, Lionel Messi, “Barcagate” u krijua që imazhi i Bartomeu-t të përforcohet deri në atë pikë sa ai të mund të fitonte zgjedhjet.

Situata shkoi deri aty sa Messi kërkoi largimin me anë të “buro-fax”, duke qenë i gatshëm që edhe të paraqitet në gjyq me klubin.

Kjo “sagë” i shkatërroi të gjithë planet e Bartomeu-t dhe grupit të tij, pasi Messi u ankua publikisht rreth drejtimit të klubit.

“Nuk do shkoj në gjyq me klubin që jam rritur dhe formuar si njeri, por këtu, në këtë klub, gjithçka po shkon gabim si arsye e drejtimit të gabuar të presidentit”, u shpreh argjentinasi.

Sulmi që u përpoq t’u bënte të tjerëve, me sa duket, iu kthye “boomerang”, nga sulmet e vazhdueshme që Bartomeu kishte nga fansat e klubit.

Madje, kur Messi shfaqi dëshirën për largim, qindra fansa u mblodhën para “Camp Nou” me thirrjet “Bartomeu jashtë!”

Këto sulme të vazhdueshme e shtynë Bartomeu-n që të deklaronte dorëheqjen e tij, më 27 tetor të vitit 2020.

Vitin e kaluar, pikërisht në ditën kur skandali u shfaq për herë të parë në media, Bartomeu e shkëputi kontratën me I3 Ventures.

Ai e mohoi që I3 Ventures të ishte paguar për të sulmuar persona të caktuar. Bartomeu tha se i gjithi informacion, që grupi i tij ka organizuar sulme ndaj ndonjë lojtari, politikani, presidenti ose ish-presidenti, është fals.

Bartomeu qëndroi te Barcelona nga 23 janari i vitit 2014, deri në tetor të 2020-ës.

Para tij, president ishte Sandro Rosell, i cili, po ashtu, u arrestua pas përfundimit të detyrës.

Rosell u arrestua pas një hetimi për pastrim parash.

Ai kishte mbledhur të ardhura të parregullta, të ardhura nga shitja e të drejtave të imazhit të një klubi brazilian.

Paratë qenë pastruar në një aksion të “kompanive fiktive të vendosura në ‘parajsa’ tatimore”.

Rosell ishte anëtar i Federatës Braziliane në vitin 2010, para se të bëhej president i Barcelonës. Siç raporton “Mundo Deportivo”, Rosell gjatë gjithë kohës si president i klubit katalunas bënte pastrim parash, duke arritur kulmin në vitin 2013.

Neymar u transferua te Barcelona, në vitin 2013, për një shifër rreth 30 milionë euro. Por, pas gjetjeve të fundit nga gjyqtarët e CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv), klubi katalunas ka paguar një shifër mbi 100 milionë për brazilianin, nga të cilat 70 milionë nuk janë të regjistruara fare.

Rosell do të dalë para gjyqit për çështjen “Neymar” gjatë vitit 2021. Kjo do të thotë që dy presidentët e fundit të klubit katalunas janë arrestuar për çështje të ndryshme.

Se çfarë po ndodh në klubin katalunas dhe a do të ndikojnë këto arrestime në shkatërrimin e imazhit të klubit, mbetet të shihet në orët dhe ditët në vazhdim…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore