Bota

Skandal brenda parlamentit, jep dorëheqjen kryetari i partisë Konservatore të Uellsit


Paul Davies, kryetari i partisë Konservatore të Uellsit, dha dorëheqjen pas përfshirjes në skandalin brenda parlamentit të Uellsit, ku shihet duke pirë alkool.

Skandali është zbuluar disa ditë pas ndalimit të konsumimit alkoolit  në ambientet e licensuara në Uells. Ky kufizim është  pjesë e masave të tjera kundër coronavirus-it.

Davies u shpreh se do të japë dorëheqje të menjëhershme.

Uellsi është një nga katër shtetet përbërëse të Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me Anglinë, Skocinë dhe Irlandën e Veriut.

Vendi gjithashtu ka parlamentin e tij, të njohur si Senedd.

Lideri i partisë,  ka konsumuar alkool më 8 dhjetor  së bashku me kreun e grupit parlamentar të partisë Konservatore, Darren Millar, me Shefin e Shtabit të Partisë Konservatore, Paul Smith dhe ish-ministrin, Alun Davies, pjesë e Laburistëve të Uellsit  brenda parlamentit.

Davies gjithashtu u pezullua pas skandalit.

Incidenti ka ndodhur  katër ditë pas hyrjes në fuqi të ndalimit të alkoolit. Sipas hetimit të brendshëm të Sennedd-it ngjarja ishte “shkelje e rregullores”.

“Incidenti ka dëmtuar besimin dhe respektin që unë kam krijuar mbi 14 vjet në parlamentin e Uellsit me kolegët e mi dhe Partinë Konservatore më gjerë, por, më e rëndësishmja, me popullin e Uellsit”, tha Davies.

Pavarësisht kësaj deklarate ai këmbënguli se “nuk ka shkelur asnjë rregullore aktuale të Covid-19”.

Ndërsa, Miller është shprehur për ngjarjet e 8 dhe 9 dhjetorit se “në të dy mbrëmjet i ka shërbyer vetes vaktin e përgatitur, duke e shoqëruar me pije alkoolike, ndërsa diskutonte me kolegët e tij”.

“Megjithëse jam këshilluar se nuk kam shkelur rregulloret e koronavirusit, më vjen shumë keq për veprimet e mia, veçanërisht duke pasur parasysh ndikimin e kufizimeve të rënda me të cilat po përballen populli dhe bizneset”.

Për këtë arsye dhe pas dorëheqjes së Davies-it, Miller ka vendosur gjithashtu të japë dorëheqjen.

Të dy deklaratat e lëshuara nga politikanët konservatorë deklarojnë se distancimi social u respektua gjatë gjithë mbrëmjes./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore