Sport

Bartomeu transferohet në stacionin policor të Mossos d’Esquadra


Mossos d’Esquadra, forcat e policisë katalunase, këtë mëngjes ka bastisur zyrat e klubit të Barcelona-s.

Në këtë aksion është arrestuar edhe ish-presidenti i klubit katalanas, Josep Maria Bartomeu.

Bartomeu është transferuar në stacionin policor të Mossos d’Esquadra në distriktin e Les Corts.

Deri më tani janë arrestuar Oscar Grau, Roman Gomez Ponti, Jaume Maferrer, të gjithë persona të afërt me ish-presidentin.

Rreth këtij skandali, klubi i Barcelonës ka dalë me një komunikatë zyrtare.

“Barcelona ka ofruar mbështetjen e plotë për autoritetet gjyqësore dhe policore për zbardhjen e  kësaj çështjeje. Dokumentacioni i kërkuar nga policia gjyqësore është lidhur direkt me faktet që lidhen me këtë çështje”.

“FC Barcelona shpreh respektin maksimal për procesin legal dhe për parimin e prezumimit të pafajësisë së njerëzve të prekur brenda kornizës së këtyre veprimeve”.

Mendohet se kjo është e lidhur me skandalin e shkurtit të kaluar, kur kompani të ndryshme ishin kontraktuar nga klubi për të bërë propagandë në rrjetet sociale.

Propaganda u bë me qëllim që të “turpëroheshin” njerëz dhe grupe që komentonin kundër presidentit të Barcelona-s, Josep Maria Bartomeu.

Madje, janë përfshirë edhe komente negative deri në shpifje, kundër futbollistëve që qëndronin kundër idealeve të Josep Maria Bartomeu-t, me qëllim kryesor argjentinasin Messi dhe spanjollin Pique.

“Nuk është lajm i mirë për Barcelona-n”, tha Joan Laporta, “ai nuk ishte një drejtues i mirë për Barcelona-n, por gjithsesi ishte presidenti i këtij klubi. Është një lajm shokues”.

Cadena Ser, media në Spanjë, ka hetuar mbi çështjen, duke gjetur disa emra të kompanive të përfshira.

Bëhet fjalë për kompanitë: I3 Ventures SL, NSG Social Science Ventures SL, Tantra Soft SA, Digital Side SA, Big Data Solutions SA dhe Futuric SA.

Bartomeu, pas Sandro Rrosell, është presidenti i dytë me radhë i Barcelona-s që arrestohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore