Shqipëria

Skadon afati i PD, regjistrimi i partisë në zgjedhje ende pezull


Ka skaduar zyrtarisht afati 48-orësh për Partinë Demokratike, në lidhje me dorëzimin e dokumenteve plotësuese pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sa i përket regjistrimit të forcës së djathtë politike në votimet vendore të 14 majit.

Ndër dokumentet e kërkuar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka qenë edhe një autorizim i atij që ende është drejtues de jure i PD-së, Lulzim Basha, pavarësisht faktit se ky i fundit është dorëhequr prej një viti nga funksioni drejtues.

Deri në mesnatën e 12 marsit, ashtu edhe sikundër është bërë me dije më parë, demokratët nuk kanë dorëzuar asnjë dokumentacion plotësues sa kërkuar nga Celibashi dhe fati i tyre për regjistrimin në zgjedhje është pezull, me një vendim që ky i fundit ende duhet ta marrë.

Megjithatë, disa hapa shtesë PD-ja i ka marrë, ndër të cilët një shkresë e kreut të Grupit Parlamentar dhe drejtuesit të komanduar të partisë, Enkelejd Alibeaj, ku artikulohet se si firma e Bashës nuk ka më vlerë, pasi ai është tërhequr nga funksioni.

Një ankesë ndërkaq për kërkesën e Celibashit ka shkuar në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve pranë KQZ-së, ku kërkohet shfuqizimi i vendimit të arsyetuar dhe regjistrimi i PD-së me të drejta të plota në zgjedhje.

Një ankesë paralele në KAS ka shkuar edhe nga grupimi i Sali Berishës, ku ky i fundit kërkon që të regjistrohet PD-ja e tij si legjitime në zgjedhje dhe ai vetë si kryetar partie.

Në vendimin e arsyetuar, kryekomisioneri e ka përjashtuar krejtësisht mundësinë që Berisha të regjistrohet me simbolet dhe logot e PD-së zyrtare, duke qenë se në Gjykatën e Tiranës, ai nuk figuron si drejtues legjitim i kësaj partie.

Vendimi i Celibashit ndërkaq mbi regjistrimin apo jo të PD-së në zgjedhje pritet të merret tashmë me skadimin e afatit 48-orësh, ku po ashtu një mbledhje është e parashikuar për të vendosur kush do t’i gjykojë nga KAS çështjet e dy PD-ve.

Tre ankime në tryezën e KAS-it, dy për fatin e PD-së

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore