Lajme

S’ka raporte normale Turqi-Siri pa heqje të trupave turke nga territori sirian


Është vetëm një rrugë, ajo e cila çon në normalizimin e raporteve mes Sirisë dhe Turqisë dhe ajo, ka të bëjë me heqjen e trupave turke prej territorit sirian.

Kështu ka bërë me dije ministri i Jashtëm i Sirisë, Faisal Mekdad, i cili e përforcoi faktin se nuk mund të ketë asnjë bisedim normal mes dy vendeve, për sa kohë situata aktuale, me Ushtri turke të përfshirë aktivisht në territor sirian, është anormale.

Më 5 janar 2023, do të ishte presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ai i cili do të komunikonte se ka gjasë, që mund të zhvillohej një takim mes tij dhe homologut sirian, Bashar al-Assad.

E gjithë kjo, pas një takimi të mbajtur në fund të dhjetorit, mes ministrave të Mbrojtjes së dy vendeve respektive, i cili ishte edhe i pari i këtij kalibri që prej fillimit të luftës së Sirisë në vitin 2011.

Lajmin e një takimi të mundshëm e ka bërë me dije vetë Erdogan gjatë një fjalimi që po mbante në Ankara, duke saktësuar se ndërmjetës në këtë tryezë mund të jetë edhe Moska.

Kjo e fundit, e mundësoi edhe takimin mes ministrave të Mbrojtjes javën e shkuar, me synimin e vijimit të dialogut paqësor mes Turqisë dhe Sirisë dhe për të shtyrë më tej diskutimet, në nivele sa më të larta.

Sipas të dhënave që erdhën pas takimit trepalësh më 29 dhjetor, janë trajtuar disa çështje, ku përfshihen edhe ato të sigurisë kufitare apo veprimi i përbashkët ushtarak kundrejt militantëve kurdë.

Një gjë të tillë e pohoi edhe një zyrtar i lartë turk, i cili në retorikën e tij e quajti diskutimin si një “lidhje ndërmjet kundërshtarëve”.

Turqia, prej fillimit të luftës në Siri, ka luajtur një rol të madh në konflikt, pasi mbështeti hapur kundërshtarët e presidentit sirian, Bashar as-Assad, duke dërguar trupa ushtarake në veri të vendit.

Kremlini nga ana tjetër, prej fillimit, ka mbështetur al-Assadin, në qëndrimin e tij në pushtet.

Ndaj, me ndërmjetësimin rus, është kërkuar që Turqi e Siria të afrohen në qëndrimet e tyre të luftës dhe t’i japin luftës një tjetër trajtë, kundër rebelëve.

Nëse Turqia nuk i mbështet më këta të fundit, fati i miliona qytetarëve sirianë vihet në diskutim, ku një masë e madhe e tyre u janë drejtuar edhe kufijve turq dhe kanë gjetur strehim në jug të Turqisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore