Pajisje

S’ka justifikim për mungesën e grave në sektorin e teknologjisë, thotë Tim Cook


Për Tim Cook, shefin ekzekutiv të Apple-it, “nuk ka mjaftueshëm gra” të punësuara në firmat e teknologjisë në botë.

Pa lënë mënjanë edhe kompaninë e tij.

Në një intervistë ekskluzive me median britanike “BBC”, ai  ka thënë se teknologjia “nuk do ta arrijë atë që mund të arrijë” pa një fuqi punëtore më të larmishme.

Sipas Cook, “s’ka justifikime” për mungesën e grave në këtë sektor.

Po ashtu ka shtuar se Realiteti i Shtuar (AR) dhe koncepti i Metaverse-it ishin “të thellë”. “Në të ardhmen njerëzit do të pyesin se si kemi jetuar pa Realitetin e Shtuar”.

Realiteti i Shtuar është një përzierje e përmbajtjes digjitale dhe botës reale. Kurse metaverse-i është koncepti i botëve të tëra virtuale dhe po investohet shumë në të.

‘S’ka justifikim’

Kompania Apple sapo ka prezantuar programin e zhvillimit të themeluesve të saj për themelueset femra dhe krijuesit e aplikacioneve në Mbretërinë e Bashkuar.

“Mendoj se thelbi i teknologjisë dhe efekti i saj te njerëzimi varet nga prania e grave”, ka ravijëzuar Cook.

Për atë, teknologjia është një gjë e mrekullueshme që do të arrijë shumë gjëra, por nëse nuk ka pikëpamje të ndryshme që punojnë për të, “nuk do të arrihen zgjidhje të shkëlqyera”.

Ai ka thënë gjithashtu se teksa kompanitë kanë bërë përparim drejt diversitetit, “s’ka justifikim” për sektorin e teknologjisë që të mos punësojë më shumë gra.

Besohet se firmat e mëdha globale të teknologjisë do të arrijnë mesatarisht rreth 33 për qind të përfaqësimit të përgjithshëm të femrave në fuqinë e tyre punëtore në vitin 2022.

Dhe 25 për qind e tyre pritet të zënë role teknike.

Por një sfidë me të cilën përballet sektori është mungesa e vajzave që zgjedhin të ndjekin lëndët e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës në shkollë.

“Duhet të ndryshojmë rrënjësisht numrin e njerëzve që zgjedhin shkencat kompjuterike dhe programimin”, ka thënë Cook.

Pikëpamja e tij është se të gjithëve duhet t’i kërkohet të ndjekin një lloj kursi kodimi deri në momentin që mbarojnë shkollën, në mënyrë që të kenë njohuri se si funksionon kodimi dhe si krijohen aplikacionet.

Apple ka krijuar gjithashtu gjuhën e vet të programimit, Swift, së bashku me përmbajtjen për të mësuar se si ta përdorin atë.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore