Lajme

“S’ka Asociacion si Republika Srpska”, çka u diskutua të enjten në Senatin Amerikan?


Ilustrim: Senati Amerikan

“S’ka ende garanci se Asociacioni s’do bëhet si Republika Serbe”, “Vuçiç po promovon idenë e Serbisë së Madhe”, “S’e përkrahim dhe as pranojmë asnjë model si Republika Serbe”, “Diskriminimi i shqiptarëve në Serbi”.

Këto ishin diskutimet që u theksuan në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit Amerikan. Arsyeja e thirrjes së kësaj seance ishte “Zhvillimet në Ballkanin Perëndimor”.

Për të raportuar ishin thirrur: I dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Kush çka tha?

I pari që foli ishte kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Senatin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bob Menendez.

Menendez në fjalën e tij tha se përderisa presioni i Perëndimit është orientuar kryesisht nga Kosova në lidhje me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, po promovon idenë nacionaliste të “botës serbe”.

Bob Menendez

“Vuçiç bëri një fjalim publik ku shprehu papajtueshmërinë e tij me përmbajtjen e marrëveshjes. Ky është një model i Vuçiç-it. Ky është një model i njohur i Vuçiç-it. Diçka tjetër thotë para liderëve perëndimorë, ndërsa diçka tjetër para popullit serb dhe mediave që kontrollohen nga ai”.

“Ai përdorë narrativen nacionaliste serbe për të përhapur idenë apo vizionin e ‘Serbisë së Madhe’, njëjtë sikur vizioni i ‘Rusisë së Madhe’ të [Vladimir] Putin-it. Ai lavdërohet me lidhjet që ka me Putin-in. Nuk i ka vendosur ende sanksione Rusisë”, tha Menendez.

Kosova është pajtuar që ta themelojë Asociacion e Komunave me Shumicë Serbe, dhe përkundër kësaj Menendez tha se Prishtinës po i bëhet presion për këtë gjë, dhe shtoi se, akoma nuk ka ende ndonjë plan apo garacion që ky mekanizëm nuk do të shndërrohet në nivel të tretë i pushtetit.

“Unë e shoh se po i bëhet presion Kosovës. E di se Kosova veçse është pajtuar për këtë. Nuk po i bëhet aspak presion Beogradit dhe ende s’ka ndonjë plan apo garanci se Asociacioni nuk do të bëhet një tjetër Republikë Serbe në Ballkanin Perëndimor sepse po i shohim implikimet në Bosnje-Hercegovinë”, shtoi ai.

Përgjigjeja e Derek Chollet për Asociacionin

Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të themelohet, por edhe shtoi se ky mekanizëm nuk do të jetë një lloj tjetër i Republikës Serbe.

“Ky është zotim ndërkombëtar i Kosovës. Në pikëpamjen tonë kjo është në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne e kemi bërë shumë të qartë se nuk pranojmë diçka që i ngjanë Republikës Serbe. Qëllimi është që serbët e Kosovës të mos varen nga Beogradi”, shpjegoi Chollet.

Derek Chollet

Për të siguruar më tej se modeli i Asociacionit nuk do të jetë i një forme të ngjashme me Republikën Srpska, ai tha se si modele që do të ishin të zbatueshëm në Kosovë mund të jetë rasti i Zvicrës, Italisë së Veriut dhe Finlandës për akomodimin e pakicave.

Në argumentimin e mëtejmë të tij se Asociacioni nuk do të jetë nivel i tretë i pushtetit në Kosovë, diplomati amerikan përmendi edhe një shkrim autorial të tij ku tregonte qartë se çka është ky mekanizëm e çka jo, teksa shtoi se ky shkrim është bërë një nga tri shtyllat e kryeministrit Albin Kurti për të pranuar themelimin e tij.

“Kemi punuar me palët ne vazhdimisht. Por, palët duhet dëgjojnë këtë edhe nga kongresi, të mos mendojnë se shqetësohemi vetëm ne. Nuk ka ndonjë ‘plan magjik’ këtu. Duhet kurajë politike e rrezik për të dy liderët për të ecur para, ne duam t’ua japim atë guxim”, shtoi Chollet.

Escobar njëjtë si Chollet për Asociacionin

Sikur parafolësi i tij, Derek Chollet, edhe i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, garantoi se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të ia cenojë sovranitetin Kosovës, dhe se i njëjti duhet të jetë në kontrollë të institucioneve kosovare.

“Asociacioni është obligim ligjor i Kosovës për shkak të marrëveshjes së Brukselit, e kemi thënë këtë që ky Asociacion nuk ia shkel sovranitetin Kosovës”, tha Escobar.

“Asociacionin duhet ta kontrollojë Kosova, qëllimi jonë është që mos të bëhet si Republika Srpska. BE-ja ka ofruar disa modele evropiane”, shtoi ai.

Gabriel Escobar

Ndërkaq, ai shtoi se pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën “na kanë kërkuar që zbatohen marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë” dhe se një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit është kyçe për ta.

“Nga Kosova presim që ta themelojë Asociacionin, sepse nuk mund të anashkalohet, në mënyrë që Kosova të afrohet më shumë nga BE-ja”, potencoi ai.

Ai ka theksuar se pajtueshmëria e arritur mes Kurtit dhe Vuçiç-it, më 18 mars në Ohër, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve “është hap madhor”.

Në mënyrë që të zbatohet kjo marrëveshje, Escobar ka thënë se do angazhohet ShBA-ja.

“ShBA-ja do të angazhohen që Kosova dhe Serbia t’i përmbushin të gjitha obligimet, vonesat i kanë lejuar Rusisë që të përzihet dhe të pengoj Serbinë nga rruga për në BE dhe NATO edhe pse populli i saj e do këtë”, tha Escobar.

Diskutimet për orientimet e Kosovës dhe Serbisë

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë raportimit të tij theksoi se kërcënimi dashakeq i Kinës ekziston në gjithë rajonin, “por në Serbi na shqetëson shumë”.

“Ne ia kemi tërhequr vërejtjen që mos të blej armë nga Kina. Janë bërë shumë investime nga Kina në Serbi dhe vendet e tjera të rajonit. I kemi inkurajuar që t’i shohin alternativat tjera këto vende”, tha Escobar.

“Duhet me jemi më agresivë në promovimin e produkteve amerikane në Ballkan. Do bëjmë trysni që Serbia të afrohet më shumë me BE-në dhe jo me Kinën”, potencoi ai.

Ndërsa, këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se artikulli i revistës javore amerikane “New York Times”, i cili zbuloi lidhjet e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, me botën e krimit në Serbi, është i vërtetë.

“Po, besojmë që është. Nuk mund të flas për gjëra specifike aty, por ka shumë korrupsion. Ky është një test ndoshta dhe jemi sy hapur”.

“Vuçiç-in po e mbajmë përgjegjës, si dhe kolegët e tij për korrupsionin, sjelljet dhe aktivitetet që ata i kryejnë”, shtoi ai.

Chollet përkundër se dha disa kritika për Beogradin, gjithashtu nënvizoi se do të vazhdojnë që të bashkëpunojnë me Serbinë, në mënyrë që të thellojnë bashkëpunimin në mes vendeve, dhe “që orientimi i saj të jetë i qartë”.

“Serbia ka sfida të mëdha që nga korrupsioni deri tek shpërndarja e naftës ruse”.

Ndërkaq, ai theksoi se një nga sfidat më të mëdha në të gjithë Ballkanin Perëndimor është korrupsioni, i cili po i pengon këto vende që të ecin para në rrugën euroatlantike.

“Kemi dhënë edhe sanksione për shumë njerëz në krejt rajonin, dhe e kemi bërë shumë të qartë se korrupsioni, i cili nuk është kjo vetëm në një pjesë të rajonit, është diçka që është shpërndarë në krejt rajonin. Korrupsioni është diçka, madje kryesorja që e ndalon integrimin e rajonit në Evropë”, deklaroi Chollet.

Për Kosovën, Chollet theksoi se është një nga aleatët më të afërt me Shtete e Bashkuara të Amerikës, duke shtuar se ajo përformon mbi kapacitetet e saj.

“Kosova është vendi i pavarur dhe demokratik, dhe është një nga partnerët tonë më të afërt, dhe gjithmonë performon mbi madhësinë e saj, dhe ne e përkrahim integrimin e saj në institucionet ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara dhe mezi presim që Kosova të afrohet me NATO-në dhe BE-në dhe dikur të bashkëngjitet me këto institucione”, tha Chollet.

Për herë të parë në Senatin Amerikan u diskutua për diskriminimin që shteti serb ia bënë shqiptarëve që jetojnë në Serbi

Në mars një delegacion nga Lugina e Preshevës kishin shkuar për një vizitë zyrtare në Uashington, ku kishin zhvilluar takime për t’i treguar diskriminimin dhe shtypjen e vazhdueshme që Serbia i bënë shqiptarëve atje.

Një nga takimet që kishin bërë delegacioni nga Lugina ishte edhe me senatorin Bob Menendez. Shqetësimet e tyre ai i paraqiti para dy zyrtarëve amerikanë.

“Unë personalisht kam dëgjuar se shqiptarët në Luginë të Preshevës diskriminohen sistematikisht në Serbi. Raportohet se identiteti i tyre fshihet nga databazat e shtetit serb, duke bërë kështu në thelb njerëz pa shtet. Ndërsa Serbia politizon të drejtat e pakicave në Kosovë, çfarë po bëjmë ne për të adresuar të drejtat e shqiptarëve në Serbi?”, pyeti Menendez.

Për këtë çështje u përgjigj Escobar.

Ai tha se “ambasada jonë në Beograd merret shumë me këtë, dhe i përdorin të hollat e USAID-it që të krijojmë mundësi që të fillojmë mbrojtjen për shqiptarët, por jo vetëm për shqiptarët, por edhe për pakicat e tjera në Serbi”.

Lugina e Presheves

“Por, ndryshe nga Kosova, Serbia është e njohur nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, dhe është shumë më përpara në rrugën e saj integruese. Por, në të njëjtën kohë ata kanë obligime më të mëdha për të ruajtur të drejtat e pakicave. Dhe do t’i përdorim të gjitha ata leva për t’u siguruar se të gjitha ato të drejta janë të mbrojtura”, deklaroi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore