Lajme

“Situata në Veri”, tema e takimit mes Kurtit dhe krerëve të Opozitës


Këtë të marte të 8 nëntorit, në orën 08:00, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet me liderët e partive opozitare për të biseduar për zhvillimet e fundit në veri.

Pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Adixhiku, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ndryshe, Partia Demokratike e Kosovës përmes një letre dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që të ketë harmonizim të veprimeve institucionale për situatën e krijuar në Veri.

Përmes një letre të dërguar të hënën nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ai ka thënë se koordinimi mes pushtetit dhe opozitës është i rëndësishëm.

“Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë stabilitetin e shtetit tonë. Me këtë rast, jua shpreh gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë”, thuhet në letrën e Krasniqit.

Më 3 nëntor, edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një konference të jashtëzakonshme për media, ka bërë të ditur se gjatë ditës i ka dërguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, një letër.

Haradinaj përpos se ka kërkuar një koordinim në mes të Qeverisë së Kosovës dhe ShBA-ve për targat, ka apeluar ekzekutivin kosovar, i drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, që deri në marrëveshjen finale, ky i fundit të mos ndërmerr asnjë veprim që e rrezikon sigurinë e vendit.

“Kam kërkuar me urgjencë ta pranon kërkesën e Amerikës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale në afatin e kërkuar dhe të ndërpritet të gjitha veprimet për zbatimin e vendimit në fjalë”, ka thënë ai.

Kurti për situatën në Veri: Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që Serbia ia ka bërë propozimit franko-gjerman

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se situata e fundit në Veri nuk po ndodh për shkak të targave e as për arsyet të cilat janë thënë.

Kurti, theksoi se e gjithë kjo situatë është krijuar për shkak të refuzimit të propozimit franko-gjerman nga Serbia.

Albin Kurti

“Nuk bëhet fjalë as për tabela të automjeteve, as për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, as për suspendimin e Nenad Gjurçit. Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ja kanë bërë propozimit të Parisit dhe Berlinit, këtë koordinim të ngushtë që e kanë me Kremlinin dhe presidentin despotik Putinin dhe për ata po i përdorin serbët të cilët vazhdojnë t’i dëgjojnë akoma në Republikën e Kosovës pra pjesëtaret e ndryshëm të strukturave ilegale”.

“Serbia qartazi është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarë do marrëveshje dhe rruga që e ka zgjedhur është në bashkëpunim me grupet ilegale në veri të Vendit për kërcënimin e qytetarëve dhe sigurisë në vendin tonë kjo rrugë nuk është e paqes dhe as e ndërtimit”.

Çka ndodhi?

Pas largimit të policëve në Veri të Mitrovicës, deputetëve të Listës Serbe nga institucionet e Kosovës dhe katër kryetarëve të komunave veriore, janë larguar edhe gjykatësit dhe prokurorët serbë.

Largimi më i bujshëm është ai i rreth 400 policëve serbë të Kosovës nga veriu.

Ata tashmë kanë dorëzuar uniformat dhe janë në proces të dorëzimit të armëve dhe pajisjeve të tjera policore.

Largimi nga institucionet u njoftua të shtunën, pasi, siç u tha, nuk u tolerua dot suspendimi i komandantit të policisë atje, Nenad Gjuriç, i cili refuzoi fillimisht të zbatonte vendimin për masën e përshkallëzuar me vendim të qeverisë në raport me targat ilegale.

Kurse të dielën, Lista Serbe ka organizuar një protestë përmes së cilës kanë kërkuar t’u plotësohen dy kushte: ndalimi i masës së qortimit nga policia dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga Qeveria.

Gjithçka që duhet të dini për zhvillimet në Veri të Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore