Lajme

Situata në Afganistan, Boris Johnson planifikon takim urgjent të G7-ës


Kryeministri britanik, Boris Johnson, pritet t’i kërkojë presidentit amerikan, Joe Biden, që t’i mbajë forcat amerikane në Afganistan përtej 31 gushtit.

Kjo, në mënyrë që të lejohet vazhdimi i fluturimeve të evakuimit.

Kërkesa e Johnson-it do të bëhet në një takim urgjent të udhëheqësve botërorë nga vendet e G7-ës, të martën e 24 gushtit.

Mijëra njerëz janë grumbulluar jashtë aeroportit të Kabulit, të dëshpëruar për t’u larguar pasi talebanët erdhën në pushtet.

Biden në një deklaratë për mediat u shpreh se, trupat amerikanë kanë zgjeruar perimetrin rreth Aeroportit Ndërkombëtar “Hamid Karzai”, si pjesë e përpjekjeve për të përshpejtuar procesin e evakuimit.

Ndërsa zyrtarët e qeverisë britanike thanë se “nuk ka një datë të caktuar” kur MB-ja do të tërhiqet.

Por ekziston frika se, pa trupat amerikane në terren, forcat e mbetura aleate nuk do të ishin në gjendje të siguronin zonën.

Mbretëria e Bashkuar ka më shumë se 1 mijë forca të vendosura në Kabul.

Bisedimet midis vendeve të G7-ës, kryesuesi i të cilit është Britania e Madhe, do të zhvillohen virtualisht dhe kuptohet që fokusi kryesor do të jetë  e ardhmja e Afganistanit.

“Të paktën 20 persona kanë vdekur jashtë aeroportit”, citohet të ketë thënë një zyrtar i NATO-s për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Mbretëria e Bashkuar po eksploron mundësinë e krijimit të qendrave në vendet në kufi me Afganistanin, për t’i ndihmuar ata që kanë punuar për forcat britanike të arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Johnson më herët u shpreh se është “jetike që bashkësia ndërkombëtare të punojë së bashku për të siguruar evakuime të sigurta, për të parandaluar një krizë humanitare dhe për të mbështetur popullin afgan”.

Ministrat e qeverisë në Mbretërinë e Bashkuar janë të sinqertë për gjendjen e vështirë në të cilën janë.

Ata duan që presidenti Biden t’i mbajë trupat e tij në Kabul edhe më gjatë – çdo ditë shtesë lejon që qindra të tjerë të evakuohen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore