Shqipëria

Situata e reshjeve në qarqe, ‘drejt normalizimit’


Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se vijon monitorimi dhe gatishmëria e plotë me të gjitha strukturat lidhur me situatën e reshjeve në vend.

Njoftimi ka parashtruar se situata në qarqe paraqitet të jetë drejt normalizimit.

“Gjendja në të tre hidrovorët e Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit në Durrës, paraqitet e mirë dhe pompat janë në punë me kapacitet të plotë. Niveli i ujit ka pësuar tërheqje”, thuhet në njoftim.

Kurse në Hidrovorët Hamallaj dhe Synej, niveli i ujit është 45 centimetra dhe në Greth është 30 centimetra, pra në nivele të ulëta.

Edhe në Fier, situata e niveleve të ujit në lumenj po shkon drejt përmirësimit, sipas ministrisë.

“Vazhdon ulja e niveleve të ujit në lumenjtë Vjosa, Shkumbin, Seman, Pavlla, Kalasa, Drinos dhe Shushica, niveli i të cilëve ka pothuaj 24 orë që është brenda shtratit”, dallon ajo.

Gjithashtu gjendja elektro-mekanike ne hidrovorët Terbuf, Karavasta, Divjakë, Povelçe, Seman, Akerni, Orikum, Çukë e Butrint është në gatishmëri të plotë.

Ministria dallon se qarku Korçë vijon pa reshje, me temperatura të ulëta nën 0 gradë. Fusha e Maliqit pa asnjë pasqyrë uji deri në këto momente.

Ndërsa hidrovori Tushemisht, aktualisht nuk punon, pasi niveli i ujit është në minimum.

“Në qarkun Berat, janë ndalur reshjet që prej mesditës. Hidrovori Konisbaltës nuk është në punë, pasi kuotat janë në minimum dhe nuk paraqitet asnjë problematikë”, vijon njoftimi.

Kurse që prej mesditës, qarku Elbasan vijon pa reshje. Niveli i Shkumbinit në hidrometri tregon një rënie me 50 centimetra nga piku i djeshëm. Situata tashmë është e qetë dhe joproblematike, duke shkuar në normalizim në të tre qarqet.

Edhe situata në qarqet Lezhë, Shkodër e Kukës është pa probleme e po shkon drejt normalizimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore