Lajme

“Sistemi gjyqësor vazhdon të jetë jotransparent, joefikas dhe i cenueshëm”


Njohësit e çështjeve të drejtësisë në diskutimet lidhur me temën “Reforma në Drejtësi”.

Këshilltari i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Eros Gashi, në tryezën ku po diskutohet lidhur me temën “Reforma në Drejtësi”, ka deklaruar se Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria janë marrë jashtëzakonisht me iniciativat ligjore për reforma në drejtësi dhe realizimin e prioritetit qeveritar për realizimin e këtij qëllimi.

Ai konsideron se iniciativa për të reformuar sektorin e drejtësisë ka pasur edhe në qeverisjet e kaluara dhe atë që “nga viti 2008 kur institucionet e Kosovës kishin zgjeruar kompetencat në administrimin e drejtësisë, por me gjithë reformat e deritanishme mosefikasiteti i sistemit është evident”.

Ndërsa, bëri të ditur se Ministria në muajin shtator e tetor ka proceduar edhe disa projektligje të tjera, si projektligjin për Prokurorin e Shtetit dhe për PSRK.

“Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës Penale dhe ai për Kod Penal pritet të shqyrtohen gjatë ditëve ose javëve në vijim me qëllim të ashpërsimit të sanksioneve penale për kryerësit e veprave penale të dhunimit, dhunës seksuale dhe dhunës në familje si nevojë e adresimit të fenomeneve të tilla me pasoja shqetësuese kohëve të fundit në vendin tonë”, tha ai.

Këshilltari i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Eros Gashi.

Sipas tij, sistemi i drejtësisë po vazhdon të karakterizohet me vonesa në procedimin e lëndëve, përshkrime e shqiptime të dënimeve të ulta.

Teksa, theksoi se kanë përgatitur edhe draftin për legjislacionin për procesin e Vettingut në sistem të drejtësisë.

“Këtë proces siç e dini e kemi kaluar në Kuvend të Kosovës, gjithashtu ne si MD mbesim prapa këtij procesi dhe do të vazhdojnë të japim kontributin tonë për këtë proces”, tha ai.

Kurse Liridon Salihu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), tha se në vazhdimësi kanë potencuar faktin se sistemi i drejtësisë në Republikën e Kosovës ka nevojë për reforma të mirëfillta.

Liridon Salihu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS)

“GLPS në përgjithësi ka përkrahur idenë e Vettingut përmes ndryshimeve kushtetuese, duke qenë se mekanizmat ligjor që i kemi tani nuk po japin rezultate adekuate në raport me efikasitetin, transparencën dhe llogaridhënien e komplet sistemit të drejtësisë”, ka thënë ai.

Ndërsa, Gzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi qasjen e Gjykatës Kushtetuese në raport me Ligjin për Këshillin Prokurorial e ka konsideruar si shqetësuese.

“Afati në këtë rast, ligji për Gjykatën Kushtetuese ka vendosur afat kur duhet të vendos që është 60 ditë dhe përkundër kësaj ende nuk ka vendosur dhe është shembull i keq kur Gjykata Kushtetuese nuk respekton afatet ligjore dhe përçon mesazh të keq edhe të gjyqësori i rregullt që problem i tyre është mosrespektimi i afateve ligjore”, ka thënë ai, raporton ‘Betimi për Drejtësi’.

Edhe koordinatori i projektit për drejtësi në kuadër të kabintetit të qeverisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, duke komentuar se çfarë ka bërë Qeveria gjatë dy viteve në pushtet, ka thënë se ka pasur mungesë totale të koordinimit të Qeverisë me pushtetin gjyqësor.

Koordinatori i projektit për drejtësi në kuadër të kabintetit të qeverisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda

Sipas tij, pushteti gjyqësor është sulmuar, duke shtuar se asnjëherë nuk kanë parë ministra që i komentojnë aktakuzat dhe aktgjykimet.

“Ne kemi një kryeministër që dje ose pardje tha që gjyqtarët që kanë vendosur pezullimin e vendimit për pagat, vendosën shumë shpejt, ndërkohë që ne e kemi dosjen”, tha Gruda.

Të hënën e 5 dhjetorit ka nisur motoja e “Javës Kundër Korrupsion për vitin 2022”, e Koalicionit të OJQ-ve është “Bashkë Kundër Korrupsionit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore