Lajme

Siri/ Gjendet trupi i arkeologut të vrarë nga forcat e IS-it


Autoritete siriane besojnë se kanë gjetur trupin e një arkeologu shumë të rendësishëm, që u vra nga Shteti Islamik (IS), në 2015.

Ai po përpiqej të mbronte qytetin antik të Palmyra-s, ku militantët i prenë kokën se ai refuzoi të zbulonte vendndodhjen e objekteve me vlerë.

Bashkë me të janë zbuluar dhe tre trupa të tjerë. Policia ka bërë me dije se do të kryhen edhe testet e ADN-së për të zbuluar identitetet e tyre.

Vrasja brutale ishte njëra nga seritë e mizorive që IS ka kryer gjatë periudhës që kishin në kontroll sitin e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s.

Arkeologu, Khaled al-Asaad i ka kushtuar sitit kulturor 50 vite të jetës së tij.  Palmyra ndodhet në veri të Damaskut , në shkretëtirën e Sirisë.

Tre nga djemtë e tij, të cilët janë gjithashtu arkeologë, u arratisën në kryeqytet me qindra objekte të vlefshme nga muzeu, ndërsa militantët po afroheshin.

Asaad këmbënguli që ai të mos largohej nga shtëpia e tij.

“Unë jam nga Palmyra dhe do të qëndroj këtu edhe nëse ata do të më vrasin”, kishte deklaruar ai përpara se të vritet.

Asaad u rrëmbye më vonë nga IS-i dhe u mor në pyetje në lidhje me vendet e objekteve të tjera që ishin fshehur. Atë gusht atij iu pre koka, në një shesh në Tadmor pasi refuzoi të bashkëpunonte.

Drejtoresha e Përgjithshme e atëhershme e Unesco-s, Irina Bokova, tha se IS-i e kishte vrarë Asaad-in “sepse ai  nuk tradhtoi angazhimin e tij të thellë ndaj Palmyra-s”.

IS dhe shkatërrimi i qytetit antik

Në javët që pasuan vrasjen, IS shkatërroi disa pjesë ikonike të Palmiras nga Shekujt I dhe II.

Tempulli i Baalshamin dhe kolonat përreth të tempullit të Belit u hodhën në erë, ashtu si harku triumfal i qytetit antik dhe shtatë kullat funerale.

Pas rimarrjes së sitit në fund të vitit 2016, militantët shkatërruan tetrapilonin – një grup prej katër strukturash shtylla – dhe një pjesë të Teatrit Romak.

IS-i e ka pushtuar dy herë Palmyra-n, i parë në maj 2015. Qeveria e dëboi grupin terrorist nga qyteti antik në Mars 2016-ës, për ta humbur përsëri në dhjetor të atij viti.

Pas dy vitesh beteja të zgjatura, ushtria Siriane rimori vendin në mars të 2017-ës por grupi terrorist kishte shkatërruar disa nga thesaret historike të qytetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore