Lajme

Sipas Qeverisë së Kosovës dhe këshilltarit të Kurtit, kryeministri norvegjez po gënjen


Nga e majta: Perparim Kryeziu, zedhenes i qeverise - Kryeministri Norvegjez, Jonas Gahr Store - Jeton Zulfaj, keshilltar i Albin Kurtit

Ka shumë fjalë që kur përkthehen nga anglishtja në shqip duhet të përshtaten në mënyrë që t’u nxirret kuptimi, sepse nuk kanë përkthim të fjalëpërfjalshëm.

Por, fjala “disappoint” nuk është njëra prej tyre. Për “disappoint” ekziston në shqip përkthimi “zhgënjim” dhe ka fiks të njëjtin kuptim.

Edhe në anglisht termi është i prerë, nuk lë kurrfarë dykuptimësie apo ambiguiteti.

Pra “disappoint” do të thotë “mërzi, apo pakënaqësi sepse dikush ose diçka ka dështuar të përmbushë dëshirat, apo pritjet tuaja”.

Këtë kuptim e ka sot dhe këtë kuptim ka pasur prejse u fut në përdorim në leksikonin anglez kur u përvetësua nga fjala e frëngjishtes së vjetër “desappointer”.

Dhe pikërisht këtë fjalë përdori edhe Kryeministri Norvegjez, Jonas Gahr Store, kur tregoi se çfarë i kishte thënë në takim homologut të tij nga Kosova, Albin Kurtit, kur folën për mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

“Unë shfrytëzova rastin që gjatë takimit tonë të shpreh zhgënjimin tim ndaj Kosovës që nuk i lejoi zgjedhjet serbe të 3 prillit të organizohen në të njëjtën mënyrë sikurse në zgjedhjet e kaluara”, tha Store dhe për këtë njoftoi me një komunikatë zyrtare lëshuar nga Qeveria norvegjeze.

Por, një nga këshilltarët e kryeministrit Kurti, Jeton Zulfaj, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, mohon atë që e thotë në komunikatë zyrtare qeveria norvegjeze.

Zulfaj siguron se “në takim nuk u shpreh askush i zhgënjyer”.

Më pas tregon se si është folur për zgjedhjet, por e paraqet bisedën vetëm si interesim të kryeministrit norvegjez.

“Kryeministri Store u interesua për zgjedhjet e Serbisë me 3 prill me ç’rast Kryeministri Kurti e njoftoi për propozimet konstruktive të qeverisë së Kosovës bazuar në praktikat ndërkombëtare”.

Statusin e Zulfajt të publikuar në Facebook e ka shpërndarë edhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, duke e formalizuar kështu si komunikim zyrtar të Qeverisë.

Rrjedhimisht, sipas qeverisë së Kosovës, kryeministri norvegjez ka gënjyer në deklarimin e tij zyrtar se ia ka shprehur zhgënjimin e tij Kurtit.

Foto nga takimi Jonas Gahr Store dhe Albin Kurti

Albanian Post ka dërguar kërkesë për një sqarim nga qeveria norvegjeze duke u thirrur në mohimin që tashmë po i bën njoftimit të tyre qeveria kosovare.

Akoma nuk është kthyer një përgjigje prapa.

Qeveria e norvegjeze nuk është e vetmja që ka shprehur zhgënjim me qëndrimin e Kurtit për zgjedhje. Edhe shtetet e QUINT-it u shprehën të zhgënjyera, derisa, përmes një komunikimi publik, e cilësuan veprimin si minim të rrugës së Kosovës në proceset integruese.

Kjo nuk është hera e parë që pas takimeve bilaterale tjetër gjë thonë zyrtarët e Kosovës e tjetër ata ndërkombëtarë.

I freskët është rasti i zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi.

Bislimi pas takimit që kishte pasur me Zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, pati shkrur në Twitter se “Berge mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikimin për pranim në Këshill të Evropës”.

Duke përdorur po të njëjtin rrjet social, Berge pak më vonë shkroi se “fatkeqësisht ky nuk është përshkrim korrekt i asaj çfarë kam deklaruar në takim në lidhje me aplikimin e mundshëm për në Këshill të Evropës”.

Bislimi në një cicërim të radhës kërkoi falje. Tha se përdori fjalën “mirëpriti” gabim. Derisa më pas, në një sqarim më të thukët, kishte deklaruar se ishte “liria e interpretimit” të tij që e bëri të merr hyxhym në atë konstatim të gabuar.

Zulfaj nuk e ka bërë ende të qartë në e ka interpretim të tij, apo po e thotë qartësisht që kryeministri norvegjez gënjeu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore