Sport

Sipas gazetarit të njohur italian, Milan-i pritet ta blejë kartonin e Kristjan Asllanit


Drejtuesit e klubit të Milan-it kanë mbetur të impresionuar nga paraqitjet e futbollistit shqiptar të Empoli-t, Kristjan Asllanit.

Sipas gazetarit të njohur italian, Alfredo Pedulla-s, Milan-i është një nga skuadrat më të interesuara për Asllanin, teksa kuqezinjtë po përgatisin një plan për ta bërë të tyrin sezonin e ardhshëm.

Aktualisht, klubi i Empoli-t e vlerëson 10 milionë euro kartonin e futbollistit shqiptar, ndërsa kuqezinjtë pritet te hidhen në sulm për ta transferuar atë.

Sipas asaj që raportohet nga Pedulla, drejtuesit e Milan-i kërkojnë ta blejnë kartonin e Asllanit, në mënyrë që t’i shmangen ndonjë dështimi, duke pasur parasysh edhe interesimin e skuadrave tjera.

Ideja e Maldin-it dhe Massara-s është që ta përvetësojnë kartonin e Asllanit në afatin kalimtar veror dhe më pas ta lejojnë të qëndrojë te Empoli edhe për një tjetër vit, në formë që kur Asllani të mbërrijë në “San Siro” të ketë përvojën e duhur.

Kujtojmë që Asllani është duke zhvilluar sezonin e parë në elitën e futbollit Italian, në të cilën po shkëlqen me Empoli-n nën urdhërat e trajnerit Aurelio Andreazzoli.

Ai në total ka regjistruar 14 paraqitje me skuadrën e Empoli-t në Serie A, derisa edhe tri të tjera i ka pasur në Kupën e Italisë, prej të cilave ka dhuruar një asistim.

Kristjani ishte në formacionin titullar në ndeshjen e fundit që skuadra e tij e humbi me rezultat 1:0 ndaj Milan-it në Serie A.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore