Shqipëria

Sipas Berishës, SPAK po rikthen ligjin e “Agjitacion Propagandës”


Një urdhër i Prokurorisë së Posaçme SPAK për të dënuar me pesë vjet burg personat që publikojnë pjesë të dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt, ka nxitur reagimin e ish-kryeministrit, Sali Berisha, sipas të cilit vendosja e këtij ligji, rikthen në kohë atë të “Agjitacion Propagandës” gjatë diktaturës komuniste.

“Vendimi i Edi Ramës me Skap-in e tij për të dënuar me tre vite burg gazetarët që publikojnë dëshmitë e Dumanit të qeverisë është një akt antikushtetues, censure policeske, dhe atentat ndaj lirisë së mediave”, shkruan Berisha në Facebook.

Sipas tij, ky vendim rikthen pikërisht ligjin e vendosur nga diktatura hoxhiste, pas 30 vitesh demokraci.

Kreu i Partisë Demokratike e ka dënuar me forcë këtë akt dhe ka kërkuar edhe largimin e atyre, të cilët i quan “mercenarë të Ramës në sistemin e drejtësisë”.

Berisha u ka bërë po ashtu thirrje gazetarëve, që të mos e zbatojnë vendimin dhe të vijojnë me publikimet rreth çështjes.

Teksa, institucioneve ndërkombëtare, ai u ka bërë thirrje të mbrojnë lirinë e mediave dhe të dënojnë vendimin e fundit të marrë.

Çfarë konfirmoi SPAK për Albanian Post?

Tre prokurorë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë firmosur një urdhër, sipas të cilit ndalohet publikimi i dëshmive të Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt.

Kështu ka konfirmuar SPAK për Albanian Post mëngjesin e 16 qershorit.

Dumani dhe Hoxhaj janë tashmë të penduar të drejtësisë dhe kanë rrëfyer një mori krimesh që kanë ndodhur gjatë dhjetë viteve të fundit në Shqipëri.

Që pas arrestimit të Dumanit, në media u publikuan dhjetëra dëshmi mbi vrasjet e kryera dhe ato të mbetura në tentativë.

Po ashtu kanë qarkulluar implikime të politikanëve dhe biznesmenëve.

Prokurorët e SPAK-ut kanë ndërmarrë vendimin në fjalë, duke “kërcënuar” mediat dhe gazetarët se, nëse publikojnë të dhënat, do të dënohen me 5 vite burg sipas parashikimeve të nenit 195/a i Kodit Penal.

Sipas SPAK, është përgatitur dy ditë më parë dhe është firmosur nga Prokurorët Doloreza Musabelliu, Altin Dumani e Behar Dibra.

Dosja me dëshmitë e Dumanit rrodhi nga SPAK në media përmes vetë prokurorëve dhe, më pas, u përhap mes gazetarëve, të cilët publikuan dëshmitë e Dumanit dhe Hoxhajt.

Nisur nga kjo, prokurorët e SPAK-ut, që kanë firmosur urdhrin në fjalë, duhet që ta nisin hetimin fillimisht nga kolegët e tyre.

Nuredin Dumani u arrestua më 29 mars të këtij viti. Ai ishte një nga personazhet më të kërkuara të botës së krimit.

Dumani ka qenë i përfshirë edhe në ngjarjen e 9 prillit 2019, kur në pistën e aeroportit të Rinasit u grabit një shumë e madhe parash që po ngarkoheshin në avion.

Sakaq, ai akuzohet si personi që ka vrarë Bujar Çelën, vëllain e Talo Çelës.

Ky i fundit është i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Akuzohet për vrasjen e dy vëllezërve, Viktor dhe Besmir Haxhia.

Nuredin Dumani ka qenë pjesë e grupit kriminal të Talo Çelës, por pas vrasjes së vëllait të këtij të fundit ata u bënë rivalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore