Lajme

Sipas analizave, në SHBA rritet dhuna e ekstremistëve të djathë


Sipas një analize të të dhënave të përpiluara nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), e bërë nga Washington Post, incidentet e terrorizmit të brendshëm janë rritur në nivele të larta në Shtetet e Bashkuara. Sulmet janë kryesisht të nxitura nga ekstremistët e bardhë të së djathtës ekstreme, të cilët janë edhe anti-musliman dhe anti-qeveritar.

Sipas të dhënave, nga viti 2015, ekstremistët e djathtë janë përfshirë në 267 sulme, nga të cilat 91 kanë qenë me fatalitete. Në të njëjtën kohë, sulmet e shkaktuara nga ekstremi i majtë përbënin 66 incidente dhe shkaktuan 19 vdekje.

Analiza nxori në pah se më shumë se një e katërta e incidenteve të krahut të djathtë dhe pak më pak se gjysma e vdekjeve të ndodhura në ato incidente, u shkaktuan nga njerëz mbështesin ideologjinë e epërsisë se njerëzve të bardhë.

Viktimat e të gjitha incidenteve në vitet e fundit përfaqësojnë një pjesë të gjerë të shoqërisë amerikane, duke përfshirë zezakët, hebrenjtë, emigrantët, individët LGBTQ, aziatikët dhe njerëzit e tjerë me ngjyrë.

Dhjetëra institucione fetare, përfshirë xhamitë, sinagogat dhe kishat e afro-amerikanëve, si dhe klinikat e abortit dhe ndërtesat qeveritare, janë kërcënuar, djegur, bombarduar apo goditur me armë zjarri gjatë gjashtë viteve të fundit.

Sulmet e krahut të majtë arritën në 25 gjatë vitit 2020. Incidentet përfshinin edhe djegien e një reparti policor të Minneapolis gjatë protestave mbi vdekjen e George Floyd.

Në gusht, një mbështetës i presidentit Donald Trump u qëllua për vdekje në Portland nga një person i armatosur, i cili ishte një mbështetës i antifa-s. Kjo vrasje ishte vdekja e vetme vitin e kaluar që i atribuohet dhunës së ekstremit të majtë.

Analiza e Washington Post u përqendrua kryesisht në sulmet e ekstremit të djathtë sepse ato përbëjnë shumicën e ngjarjeve dhe fataliteteve në rritje të terrorizmit të brendshëm.

Incidentet e ekstremit të djathtë, vitin e kaluar, shpërthyen në valë të dallueshme që rrjedhën si pasojë e mbylljeve të bizneseve si pasojë e pandemisë nga qeveria në pranverë, demonstratave racore në verë dhe konfrontimeve mbi rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në fund të vjeshtës.

Pas incidentit në Capitol më 6 janar 2021, Drejtori i FBI-së, Christopher A. Wray, u tha ligjvënësve federalë se përballja me terrorizmin e brendshëm duhet të jetë përparësia kryesore për sigurinë kombëtare.

Analiza tregon se pothuajse çdo shtet ka parë të paktën një sulm apo komplot terrorist të brendshëm në vitet e fundit. Një zgjerim i dukshëm ky, i komuniteteve të prekura nga terrorizmi në krahasim me dekadat e mëparshme.

Mediat sociale dhe terrorizmi

Bruce Hoffman, një profesor dhe specialist i antiterrorizmit në Universitetin Georgetown, tha se vitet e fundit, ekstremistët kanë shfrytëzuar mediat sociale dhe internetin për të ndarë teoritë, ankesat, taktikat apo synimet e tyre.

Nga 2015 në 2020, përdorimi i faqeve të internetit ose mediave sociale të tilla si Facebook nga ekstremistët e djathtë është rritur në gjashtë vitet e fundit.

Analiza përfshinte edhe rastet nëse angazhimi i mediave sociale përmendej nga hetuesit në incidente ose citohej në agjencitë e lajmeve.

Trendi arriti kulmin në vitin 2020, ku 24 incidente përmendnin mediat sociale si shpërndarëse informacionesh apo idesh. Kjo përfaqëson rreth një në pesë incidente të dhunës së krahut të djathtë në atë vit.

Midis ekstremistëve që frymëzoheshin në internet ishte edhe Taylor Michael Wilson, një 26-vjeçar nga Misuri. Para dhe pasi Wilson ndoqi një tubim vdekjeprurës të krahut të djathtë, në vitin 2017, në Charlottesville, ai u zhyt në propagandën e krahut të djathtë.

Më 22 tetor 2017, Wilson u fut fshehurazi në dhomën e motorit të një treni Amtrak dhe tërhoqi frenat në një pjesë të largët të Nebraskës. Në atë kohë, ai mbante një armë dorë dhe një thikë. Ai gjithashtu kishte me vete një kartë biznesi për Lëvizjen Nacional Socialiste ( lëvizje neo-naziste).

Pas një beteje, një pjesë e personelit të trenit e mbërtheu atë derisa mbërritën autoritetet.

Sipas të dhënave për çështjen, Wilson i kishte thënë një deputeti se “ po shpëtoja trenin nga njerëzit e zinj”.

Wilson u deklarua fajtor në 2018 për një seri akuzash si ajo e terrorizmit, kundështimit të forcave policore dhe shkatërrim të transportit publik. Ai u dënua me 14 vjet burg.

Kërcënime në rritje

Sulmet ndaj emigrantëve janë rritur në vitet e fundit. Kështu ka ndodhur edhe për sulmet ndaj njerëzve me ngjyrë që supozohen të jenë emigrantë ose myslimanë.

Ka pasur 15 incidente të lidhura me anti-emigrantët që nga viti 2015, duke rezultuar në 27 fatalitete dhe dhjetëra të plagosur.

Disa nga këto sulme tërhoqën vëmendjen e vendit, duke përfshirë një masakër më 3 gusht 2019, ku një person i armatosur vrau 23 vetë dhe la një numër të madh njerëzish të plagosur.

Ndër trendet në zhvillim është numri i madh i anëtarëve të shërbimit ushtarak apo veteranëve të përfshirë në sulme dhe komplote në vitet e fundit.

The Post gjeti 36 raste nga 2015 deri në janar të vitit 2021, përfshirë trazirat e Capitol-it.

Vetëm në atë incident, më shumë se 40 persona të akuzuar për komplot dhe krime të tjera kishin shërbyer në ushtri. Më shumë se një duzinë ishin oficerë në detyrë.

Në raportin e CSIS, grupi i sigurisë paralajmëroi se ekstremistët e djathtë gjithnjë e më shumë po përpiqen të rekrutojnë anëtarë të shërbimit ushtarak dhe veteranë.

Raporti, i titulluar “Ushtria, Policia dhe Ngritja e Terrorizmit në Shtetet e Bashkuara”, citoi një raport të Departamentit të Mbrojtjes (DOD) dërguar Dhomës dhe Komiteteve të Shërbimeve të Armatosura të Senatit muajin e kaluar. Ai raport tha se DOD “po përballet me një kërcënim nga ekstremistët e brendshëm, veçanërisht ata që mbështesin epërsinë e bardhë ose ideologjitë e bardha nacionaliste”.

Një nga incidentet e krahut të djathtë në vitin 2020 përfshiu veteranin e Marinës, 36-vjeçarin, Timothy Wilson. Sipas një deklarate federale, ai kishte planifikuar për muaj të tërë për të kryer një lloj sulmi që bazohej në urrejtjen e tij ndaj afro-amerikanëve, hebrenjve, qeverisë federale dhe refugjatëve.

Wilson, komunikoi me ekstremistët e tjerë përmes një aplikacioni të koduar. Ai ndau teknikat e bërjes së bombave, u mburr me arsenalin e tij të armëve dhe municioneve dhe foli për rekrutimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm.

Kontaktet e tij përfshinin 24-vjeçatin, Jarrett William Smith, një ushtar këmbësorie i vendosur në Fort Riley, i cili jepte informacion në internet në lidhje me mënyrën e krijimit të pajisjeve shpërthyese.

Smith u arrestua dhe në shkurt të vitit 2020 dhe u deklarua fajtor për shpërndarjen e paligjshme të udhëzimeve për prodhimin e pajisjeve shpërthyese. Ai u dënua në gusht me 30 muaj burg.

Në anën tjetër, Wilson filloi takimin me një agjent të infiltruar të FBI-së i cili po paraqitej si një bashkëpunëtor ekstremist. Wilson komplotoi për të bombarduar një ndërtesë publike dhe në mars të vitit 2020, ndërsa ndalimet e coronavirus-it po zinin vend, Wilson vendosi të përshpejtonte planet e tij dhe të hidhte në erë një spital që trajtonte pacientë me Covid-19.

Kur autoritetet u përpoqën ta kapnin, ai kreu vetëvrasje.

Në seancat dëgjimore të kongresit në vitet e fundit, specialistët e antiterrorizmit dhe dëshmitarë të tjerë u thanë ligjvënësve se qeveria federale ka nevojë për më shumë të dhëna mbi terrorizmin e brendshëm, për të kuptuar se si të adresohet dhuna në rritje.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore