Bota

Simptomat e Covid-19 mund të zgjasin gjashtë muaj


Gjashtë muaj pas infektimit, njerëzit ende kanë shfaqur simptoma të Covid-19, ku më të hasurat janë lodhja dhe mungesa e gjumit.

Një studim i kryer tek 1 mijë e 700 pacientë të trajtuar në Wuhan, tregon se 76% e njerëzve shfaqën minimalisht një simptomë të virusit muaj pas infektimit.

Efektet shëndetësore mbarten tek njerëzit edhe pas shërimit të tyre. Mendohet se mund të ketë edhe efekte më afatgjata në vazhdim.

Lodhjen e shfaqin 63% e njerëzve që u bënë pjesë e studimit. 26% e tyre ndërkohë, shfaqin mungesë të gjumit gjashtë muaj pas shërimit.

Probleme raportohet të ketë dhe me efektet psikologjike. Ankthi dhe depresioni raportohen në nivele shqetësuese tek 23% e pacientëve të shëruar.

“Vetëm tani po fillojmë të kuptojmë efektet afatgjata të Covid”, shpjegoi Dr. Bin Cao. “Analizat tona tregojnë se shumica e njerëzve vazhdojnë të jetojnë me sëmundjen edhe pas shërimit”.

Rezultate të studimeve të tjera ndërkohë, pritet të publikohen në javët në vazhdim.

Wuhan-i ishte epiqendra e fillimit të coronavirus-it. Prej raportimeve të para në dhjetor të 2019-ës, sot kemi mbi 90 milionë raste infektimi të regjistruara me Covid-19. Numri i të vdekurve ndërkohë, po afron shifrën e dy milionëve./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore