Sport

Simon Simoni, zbulimi i vitit 2022 në futbollin shqiptar


Mbrëmja gala e Federatës Shqiptare të Futbollit e organizuar sot në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në një atmosferë të shkëlqyer e të mbushur me emocione të mëdha ka nderuar me çmime protagonistët kryesor të vitit 2002 në futboll në një atmosferë të shkëlqyer.

Dy nga çmimet më të veçanta ishin ato për “Talentin e vitit 2022” për djem dhe vajza.

Mes djemve tre kandidatët për trofeun ishin Simon Simoni, Arinaldo Rrapaj dhe Rejan Alivoda, ndërsa për të dorëzuar çmimin është ngjitur në skenë eksperti i edukimit në UEFA, Savvas Constantinou.

I ftuari i FSHF-së për këtë event madhor, pasi vlerësoi ecurinë mjaft të mirë të futbollit shqiptar, ka hapur zarfin dhe ka lexuar emrin e Simon Simonit, i cili u shpall fitues i këtij çmimi. Portieri i talentuar 18-vjeçar ka qenë një nga zbulimet e vitit të kaluar që kulmoi me transferimin e tij vetëm pak javë më parë nga Dinamo te Eintrahti i Frankfurtit në Bundesligën gjermane.

Duke qenë se vetë Simoni nuk mundi të ishte i pranishëm fizikisht për shkak të impenjimeve me klubin gjerman ai ka përshëndetur të pranishmit përmes një video-mesazhi, ku ka falënderuar të gjithë për vlerësimin.

“Mirëmbrëma të gjithëve! Në radhë të parë ndihem i nderuar për këtë çmim që po marr sot. Do të doja t’ju falënderoja nga afër, por për shkak të impenjimit që kam me ekipin nuk munda të jem sot në sallë, ndaj ju falënderoj të gjithëve”, tha ai.

“Ky çmim në veçanti i dedikohet familjes time që ka mbështetur gjatë gjithë kohës, personave që më kanë qëndruar afër dhe më kanë ndihmuar në zhvillimin tim ditë pas dite, trajnerëve të Akademisë së Shënkollit dhe Dinamos e gjithashtu trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave”.

“Besoj se në Shqipëri ka mjaftueshëm talente që kanë cilësi, por duke punuar shumë dhe duke u stërvitur shumë mund të arrijnë në klube të njohura europiane. Ju uroj suksese në vijim”, shtoi  Simoni në video-mesazhin e tij, ndërsa çmimi i është dorëzuar menaxherit të tij, Enis Ibrahimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore