Lajme

Simmons: Është koha që Kosova të thotë “jemi lodhur nga lojërat” e BE-së


Ish-gjykatësi i misionit evropian në Kosovë – EULEX, Malcolm Simmons, e ka këshilluar Kosovën që të shfaqet më e ashpër ndaj Bashkimit Evropian, për çështjen e mos liberalizimit të vizave.

Ai përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se është koha që Kosova ta ngrit zërin dhe t’i thotë BE-së se “jemi lodhur nga lojërat e juaja”.

“A nuk është koha që Kosova t’i thotë BE-së: “Ne jemi lodhur nga lojërat që po i luani. Nuk do të ketë bashkëpunim të mëtejshëm me ju përveç dhe derisa të shohim ndonjë përparim nga pala e BE-së?”, ka shkruar Simmons.

Simmons ka qenë gjyqtar që nga fillimi i misionit më 2008 derisa nga viti 2014 ka kryesuar asamblenë e Gjykatësve të EULEX-it.

Kryetari i gjyqtarëve të misionit EULEX Malcolm Simmons, ka dhënë dorëheqjen nga pozita e tij në vitin 2017, duke e akuzuar në të njëjtën kohë këtë mision për përfshirje në korrupsion.

Gjykatësi britanik Malcolm Simmons, në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde”, pati folur për keqfunksionim të madh në misionin e EULEX-it, i cili gjykoi rastet më të rënda të korrupsionit dhe disa raste për krime lufte në Kosovë.

Ai ka folur gjatë për skandalet në misionin evropian për sundimin e ligjit, madje pati raportuar disa raste të korrupsionit brenda misionit më të shtrenjtë të Bashkimit Evropian, ku pastaj ka vazhduar edhe me akuza tjera ndaj misionit duke e cilësuar tërësisht politik.

“EULEX-i nuk është misioni i promovimit të sundimit dhe ligjit. Është një mision politik. Kushdo që mendon ndryshe, është naiv ose i marrë”, pati thënë Simmons.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i zyrës së shefes së diplomacisë evropiane dhe i misionit EULEX në Kosovë, të cilët thanë se do i hetonin pretendimet e gjykatësit britanik Simmons, i cili sipas tyre, ishte po ashtu nën hetime, për të njëjtat pretendime të ngritura kundër tij.

“Përgjatë vitit të kaluar, Malcolm Simmons, ka qenë objekt i disa hetimeve të pavarura në lidhje me disa pretendime të rënda kundër tij. Këto hetime janë duke u bërë nga një ekip, i cili është krijuar dhe që ndodhet në Bruksel, i kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Këto pretendime janë në faza të ndryshme të hetimeve, kurse disa prej tyre janë dërguar në një Bord Disiplinor dhe tani janë në pritje të vendimit të këtij Bordi. Të tjerat janë në vijim e sipër”, thuhej në deklaratën e misionit EULEX për hetimet kundër tashmë ish-gjyqtarit Simmons.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore