Lajme

Simiç: Asociacioni dhe largimi i forcave speciale nga Veriu janë kushte për kthimin e serbëve në institucione


Igor Simiç, Nënkryetar i Listës Serbe

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç është shprehur se serbët do të kthehen në institucionet e Kosovës vetëm pas “formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe pas tërheqjes së njësive speciale nga Veriu i Kosovës”.

Simiç potencoi se vetë personalisht, por edhe partia të cilës i takon dhe asnjë serbë që jeton në Kosovë “nuk ka besimin më të vogël” te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “se do të bëjë ndonjë gjë që do të sjell dobi tek serbët e Kosovës”.

“Kurti po bën gjithçka që mundet për t’ia vështirësuar jetën popullit serb, dhe se Asociacioni nuk është një modë, por një mekanizëm i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave kolektive dhe individuale të serbëve, për realizimin e nevojave thelbësore të popullit serb në Kosovë”, vlerësoi Simiç, transmeton media serbe N1.

Ndërkaq, ish-deputeti serb në parlamentin e Kosovës mendon se “dialogu është mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e hapura” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ndryshe, me gjashtë nëntor të vitit të kaluar kishin dhënë dorëheqje katër kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Dorëheqja e zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës në nivel politik dhe administrativ, erdhi meqë Qeveria fillojë implementimin e sekuencuar të vendimit për qortimin dhe gjobitjen e atyre që bartin targa ilegale të prodhuara në Serbi.

Më 10 dhjetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit konsultativ me partitë politike lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, kishte vendosur t’i shtyjë zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan të cilat do të mbaheshin me 18 dhe 25 dhjetor.

Arsyeja e shtyrjes së zgjedhjeve, sipas Osmanit, është niveli i rrezikshmërisë.

Zgjedhjet në Veri ishte paraparë që të mbahen më 18 dhjetor të vitit të kaluar.

Ndërsa, zgjedhjet në Komunat Veriore do të mbahen me 23 prill, por partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista serbe nuk e ka konfirmuar ende pjesëmarrjen e saj, madje në një njoftim me nëntë mars kishte drejtuar akuza në drejtim të Komisionit Qendror Zgjedhor dhe institucioneve në Prishtinë.

“Kjo e bën më se të qartë se Kosova dhe Komisioni i saj Qendror i Zgjedhjeve po përpiqen që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës, kundër vullnetit të qytetarëve, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb”, thuhet në njoftimin e bërë nga kjo parti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore