Shqipëria

Siguria në bregdet, bllokohen 8 skafe dhe jet ski


Policia e Shtetit ka bërë me dije se po vijojnë kontrollet intensive, përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe liqenore, nga Saranda në Shkodër.

Kështu, nga Ksamili në Shëngjin, brenda 24 orëve të fundit, Policia Kufitare ka bllokuar tetë mjete lundruese, nga të cilat katër skafe dhe katër mjete lundruese argëtimi “Jet ski”.

Drejtuesit e mjeteve lundruese janë ndëshkuar me masë administrative 10 mijë lekë të rinj secili.

Policia Kufitare ka shpërndarë edhe një apel për pronarët dhe përdoruesit e mjeteve lundruese që të zbatojnë me korrektesë dhe kërkesat ligjore për daljen në det.

Po ashtu ajo u kërkon që të pajisjen me dokumentacionin përkatës, si dhe për të gjithë ata shtetas që përdorin mjete lundruese argëtimi, apelon që të tregojnë kujdes dhe të mos cenojnë zonat e sigurisë së pushuesve në plazhe.

Ajo thekson se është e angazhuar maksimalisht, do të shtojë kontrollet në det dhe monitorimin nga toka të të gjithë vijës bregdetare, me qëllim rritjen e sigurisë së pushuesve, zbatimin e ligjit dhe rregullave të lundrimit në det, si dhe për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore