Përballje

Sigal Prishtina fiton ndeshjen dramatike ndaj Trepçës


Ndeshja klasike e basketbollit kosovar, Sigal Prishtina – Trepça, ka dhuruar spektakël, saqë u desh të shkohej dy herë në vazhdime për t’u përcaktuar fituesi.

Sigal Prishtina arriti në fund të triumfojë me shifrat 76:73, por deri te ky rezultati pati shumë momente dramatike.

Një takim ky që shkoi i gjithi i barabartë, ku katër periodat u mbyllën me vetëm nga një pikë epërsi nga ekipet respektive.

Çerekun e parë e fituan mysafirët nga Mitrovica me shifrat 15:16, derisa të dytin e fituan prishtinasit me shifrat 13:12, ku skuadrat shkuan në pushim me rezultat të barabartë, 28:28.

Perioda e tretë foli në të mirë të Sigal Pristhinës me shifrat 17:16, kurse ai i treti përfundoi 11:12, ku rezultati në fund të ndeshjes doli të jetë 56:56 dhe skuadrat shkuan në vazhdime.

Në vazhdimin e parë, Trepça ishte shumë afër që ta fitonte ndeshjen, kur Drilon Hajrizi pati dy gjuajtje të lira, por në të dytën dështoi dhe rezultati mbeti 64:67, kur kishin mbetur edhe 20 sekonda nga fundi i ndeshjes.

Ky ishte momenti dramatik, kur Jan Paloka shënoi një tre-pikësh për ta barazuar edhe njëherë ndeshjen.

Edhe koha e dytë shtesë ishte një dramë e vërtetë, ku Prishtina arriti në fund të shkëputej për ta marrë fitoren me shifrat 76:73.

Lojtari më i mirë në këtë ndeshje ishte Drilon Hajrizi me 17 pikë e nëntë kërcime, derisa te Trepça u dallua edhe Erjon Kastrati me 15 pikë, gjashtë kërcime e tre asistime.

Ndërsa te Sigal Prishtina ishte fantastik amerikani Brooks Debisschop me 24 pikë, 14 kërcime e dy asistime, si dhe Dardan Berisha me 16 pikë, gjashtë kërcime e tetë asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore