Shqipëria

Siç deshi i moçmi


“Na, krejt njajtë votojmë!”

Këto ishin fjalët e një malësori. Ngjashëm sikur po u drejtohej maleve që i rrinin pas për të përligjur besimin e tij.

Hijerëndë, por me një buzëqeshje që e çelte qiellin, këmbëngulte se e drejta e tij ishte detyrimi që duhet të shlyente familja, i biri dhe e bija e tij.

Me rrudhat e fisme që krenonin vitet dhe me flokët e thinjura që s’munde t’i fshihte dot kapelja, ai përsëriti veten sikur të donte të mos harronte: “krejt njajtë”.

E, teksa largohesh prej tij, kupton rëndesën e vërtetë të atyre fjalëve të thëna me aq vendosmëri.

Pse ende?

Një politolog e sheh fenomenin e votimit familjar në shoqërinë tonë si të trashëguar. Gerti Sqapi shprehet për Albanian Post se votimi as nuk ka lindur dhe as nuk është intensifikuar gjatë viteve të fundit.

Në dijeninë e tij, në dekadën e fundit janë ndërmarrë më shumë përpjekje për ta evidentuar këtë fenomen “negativ” dhe për të ndërgjegjësuar më tej njerëzit mbi këtë problem. Sqapi pranon se, falë këtyre përpjekjeve, janë vënë re edhe përmirësime të lehta në këtë drejtim.

Sqapi sqaron se problemi i votimit familjar është më i shpeshtë në zonat rurale.

“Problemi i votimit familjar është i lidhur me strukturën sociale dhe modelin e marrëdhënieve sociale patriarkale që vazhdojnë të jenë ende të mishëruara në shoqërinë tonë, sidomos në zona të caktuara ku lidhjet tradicionale dhe modeli i familjes së zgjeruar ende ruhet”, tregon ai.

Duke e kontekstualizuar fenomenin, politologu shpjegon se “ky model i marrëdhënieve sociale patriarkale ruhet dhe përforcohet edhe nga situata e vështirë ekonomike në këto zona, si dhe nga nivelet jo shumë të larta të arsimimit për gratë dhe vajzat në këto zona”.

Sqapi pohon se këto dy faktorë e përforcojnë akoma dhe më shumë strukturën sociale patriarkale. Ndryshe modelin ku burri apo “i moçmi” i fisit, dominon. Çka sjell edhe produktin final, votimin familjar.

Në rrënjët e pranimit

Një sociologe e trajton fenomenin e votimit familjar si të rrënjosur në kulturën e vendit. Entela Binjaku tregon për Albanian Post se në familjet shqiptare procesi i votimit diskutohet dhe se vota përcaktohet si një vendim i përbashkët.

“Kjo tregon se ka një lloj konformizmi brenda familjes dhe fakti që kjo sjellje ka mbetur ende e pranishme lidhet me konformizmin e vazhdueshëm për ta mbajtur gjallë atë”, shpjegon sociologia.

Sipas Binjakut, kjo lloj përshtatje është fare e pandërgjegjshme. Anëtarët e familjes nuk hezitojnë të pranojnë një vendim të përbashkët për t’u kuptuar dhe për të komunikuar me njëri-tjetrin.

“Kjo ndodh edhe për shkak të natyrës së lidhjeve tona familjare ku duhet dëgjuar ‘më i madhi’, ai që ka pushtetin në familje”, dallon Binjaku.

Lidhur me ndikimin që mund të pasojë fenomenin e votimit familjar, ajo e përmbyll këndvështrimin e saj duke thënë se “dukuria ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e demokracisë, pasi kjo përzgjedhje nuk e pasqyron realitetin, por e shtrembëron atë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore