Shqipëria

Si zgjidhet udhëkryqi i PD-së në KQZ?


Ngërçi i Partisë Demokratike nuk është formësuar vetëm së brendshmi, por ka tejkaluar tashmë edhe aspekte ndërinstitucionale, ku rasti më i fundit është ai pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili nën drejtimin e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ende e mban pezull çështjen, duke mos marrë një vendim për regjistrimin në zgjedhjen e 14 majit 2023.

Efekti më i komplikuar është ai lidhur me pjesën juridike të forcës së djathtë politike, drejtuar aktualisht nga Enkelejd Alibeaj. Ky fraksion – është e qartë – ka thënë Celibashi, se ka të drejtën për regjistrim.

Mirëpo ngërçi ka bllokuar kërkesën zyrtare, për shkak të mungesës së dokumentacioneve dhe është kthyer për plotësim, i cili në vetvete nuk ka ndodhur brenda afatit 48-orësh të vendosur më parë.

Me skadimin e këtij afati, as vetë komisioneri nuk ka zhvilluar mbledhje publike, për të argumentuar mbi vendimin e tij përfundimtar (mbledhje e thirrur për datën 14 mars, ora 16:00).

Pjesë e kësaj kërkese ka qenë edhe një autorizim me nënshkrim nga kreu i partisë, Lulzim Basha, i cili figuron si i tillë në Gjykatën e Tiranës, pavarësisht se prej një viti është tërhequr nga detyra dhe funksionet.

Nga përfaqësuesi juridik i PD-së në KQZ, Indrit Sefa, ka pasur madje edhe ankesa ndaj Celibashit, duke kërkuar që ky i fundit ta sjellë vendimin sa më shpejt, pasi kështu po shpërdoron funksionin e tij.

Kjo kërkesë/ankesë në fakt, lidhet edhe me vetë veprimin juridik që PD-ja (Alibeaj) ka ndërmarrë, duke e ankimuar në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve pranë KQZ-së vendimin.

Ky i fundit, ka bërë me dije se nuk mundet të shqyrtojë një kërkesë të tillë, sa kohë nuk ka vendim të prerë nga Celibashi (nëse do ta regjistrojë apo jo PD-në në zgjedhje).

Po PD-ja – ajo e Sali Berishës – ku hyn këtu?

Çështja është krejt e ndryshme për pjesën faktike të PD-së, e cila gëzon edhe dukshëm mbështetjen më të madhe mes të djathtëve.

Kjo, pasi Celibashi nuk e njeh si kryetar legjitim Berishën, në bazë të vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila de jure të regjistruar, ka ende Lulzim Bashën si kryetar.

Kësisoj, kërkesa e Berishës është e pavlefshme sipas tij dhe kjo gjë ka çuar që ky fraksion t’i drejtohet po ashtu KAS-it, për të rrëzuar vendimin e Celibashit, i cili sërish, për shkak se është i pjesshëm, nuk mund të trajtohet nga KAS, siç është argumentuar nga vetë organi.

Çfarë do të ndodhë më tej?

Siç mëson Albanian Post, duke cituar burime pranë kampit të Berishës, do të pritet vendimi përfundimtar i Celibashit më 14 mars dhe menjëherë pas tij, do të bëhet sërish ankimim në KAS, lidhur me regjistrimin e PD-së në zgjedhje, me Berishën si kryetar.

Në këtë udhëkryq të krijuar prej një jave tashmë, semafori do të ndizet zyrtarisht pasditen e 14 marsit, për të parë kush ecën përpara (Berisha apo Alibeaj) dhe kush rri ende në stop…në mos të dy!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore