Jetesë & Stil

Si ta trajtoni fytyrën mirë dhe lirë


Ndryshimet klimaterike janë gjithmonë problematike për lëkurën. Ndaj, kujdesi për fytyrën këtë periudhë duhet të jetë më i madh.

Ndoshta, kushtet ekonomike, nuk i lejojnë të gjithë të drejtohen drejt kremrave të shtrenjtë. Prandaj, ka disa maska të thjeshta, që mund të përgatiten shumë lehtë dhe lirë. Me anë të tyre mund t’i japësh lëkurës butësi dhe shkëlqim.

Qumësht i pasterizuar dhe mjaltë

Maska në fjalë është shumë e thjeshtë për t’u përgatitur. Përziejmë 5-6 lugë çaji qumësht me 2 lugë çaji mjaltë. Pastën e formuar aplikojeni në pjesën e fytyrës dhe qafës, duke e masazhuar për 5 minuta. Pas kësaj, lëreni të veprojë për 15 minuta të tjera.

Luleshtrydhe dhe limon

Nëse fytyra gjatë stinës së dimrit ju skuqet nga i ftohti, atëherë kjo maskë është ideale. Luleshtrydhet përmbajnë acid salicilik, i cili parandalon çarjet e lëkurës, formimin e rrudhave dhe të puçrrave. Merrni disa luleshtrydhe, 2 lugë gjelle limon dhe 1 lugë gjelle mjaltë. Përziejini mirë të gjithë përbërësit në një blender, derisa të formohet një masë kompakte. Aplikojeni maskën në fytyrë dhe lëreni të veprojë rreth 20 minuta. Më pas, shpëlajeni me ujë të vakët.

 

 

E verdhë veze, avokado dhe mjaltë

Pak avokado, dy lugë çaji mjaltë dhe një lugë të verdhë veze është gjithçka ju duhet. Të tre përbërësit vendosini në blender, në mënyrë që të formohet një masë homogjene. Më pas, mund ta aplikoni maskën në zonën e fytyrës dhe qafës. Lëreni të veprojë për 30-40 minuta dhe, më pas, shpëlajeni me ujë të vakët. Për rezultate afatgjata, aplikojeni maskën një herë në javë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore