Shëndet

Si ta luftoni frikën nga sëmundjet?


Ilustrim

Njerëzit që janë të rënduar nga mendimi se janë të sëmurë, shpesh përqeshen dhe shpeshherë u thuhet se “çdo gjë është në kokën e tyre”.

Megjithatë, edhe pse zakonisht nuk vuajnë nga ajo që kanë frikë, në shumë raste rezulton se nuk janë të shëndetshëm.

Hipokondria, e cila sot quhet ankthi shëndetësor, është një çrregullim mendor që mund ta bëjë seriozisht të vështirë për individët të bëjnë një jetë normale.

Për ata që vuajnë nga kjo, termi hipokondriak është kthyer për fat të keq në një emërtim poshtërues, thotë Timo Slotta, psikolog dhe psikoterapist në Klinikën Universitare në Këln.

Për një etiketë të tillë, zakonisht mjafton që dikush të ankohet për një sëmundje që nuk është konfirmuar nga një ekzaminim mjekësor. Shumë më tepër nevojitet për një diagnozë klinike e ankthit shëndetësor, vëren Slotta.

“Këta janë njerëz që janë të pushtuar nga ideja se janë të sëmurë rëndë”, thotë Slotta. “Më shpesh, ata mendojnë se është një sëmundje që mund të jetë fatale në një kohë relativisht të shkurtër”.

Ata shpesh vizitojnë mjekët, shqetësohen, lexojnë për sëmundjen e tyre të supozuar, ekzaminojnë veten dhe ndjejnë dhimbje, matin vazhdimisht presionin e gjakut ose nivelin e oksigjenit.

Ankthi i herëpashershëm për simptomat e supozuara të sëmundjes nuk është një problem i madh, shpjegon Slotta.

Sjellja bëhet patologjike nëse asgjë nuk mund t’i bindë personat e tillë të kundërtën dhe fillon të ndikojë negativisht në cilësinë e jetës së tyre të përditshme.

Duke pastruar shtepine

Një mjek zakonisht diagnostikon ankthin shëndetësor nëse frika e pacientit për një sëmundje potencialisht serioze zgjat gjashtë muaj ose më shumë dhe pasi analizat dhe ekzaminimet tregojnë se ai është i shëndetshëm.

Por një person i tillë refuzon të pranojë diagnozën, e cila duhet ta çlirojë nga frika dhe kërkon ekzaminime shtesë mjekësore.

Nuk është e qartë pse disa njerëz e zhvillojnë këtë gjendje. Ka disa teori. Faktorët gjenetikë mund të luajnë një rol të madh, si dhe përvoja e sëmundjes së rëndë në rininë e hershme.

Një tjetër faktor rreziku, thotë Slotta, janë një sërë sëmundjesh të rënda në familjen e dikujt ose në rrethin shoqëror në të cilin lëvizin.

Megjithëse ka kritere specifike për diagnostikimin e ankthit shëndetësor, nuk është e lehtë të vendoset.

“Është terren shumë i rrëshqitshëm”, thotë Slotta. “Shumë nuk duan të dëgjojnë se kanë një çrregullim mendor, por këmbëngulin për sëmundje fizike”.

“Megjithatë, ankthi shëndetësor trajtohet mirë”, shtoi ai. Midis dy të tretave dhe katër të pestat e ‘hipokondriakëve’ i përgjigjen mirë psikoterapisë dhe të tjerët, përveç psikoterapisë, ndihmohen nga mjekimi.

“Psikoterapia është padyshim një proces stresues dhe kërkon shumë kohë, por terapia me ilaçe funksionon vetëm derisa pacienti e merr, prandaj duhet të kombinohet me psikoterapi dhe rezultatet nuk do të mungojnë”, përfundoi Slotta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore