Lajme

Si po bëhen qytetet neutrale ndaj karbonit?


Aktualisht, më shumë se gjysma e popullsisë së botës jeton në qytete dhe nga mesi i shekullit, 68 për qind e të gjithë njerëzve në planet do të jetojnë në zona urbane.

Qytetet janë përgjegjëse për 60 për qind të emetimeve të gazeve serrë dhe teksa popullsia urbane rritet edhe ndikimi te klima do të rritet po ashtu.

Gjithashtu, tregon agjencia e lajmeve “BBC”,  qytetet janë ndër vendet që kanë më shumë gjasa të ndjejnë ndikimet akute të ndryshimeve klimatike.

Masat e betonit, metalit dhe qelqit në zonat urbane mund t’i bëjnë ato më të ngrohta se peizazhi përreth për shkak të mënyrës se si thithin, emetojnë dhe reflektojnë nxehtësinë.

Ndërsa mungesa e ujit dhe përkeqësimi i ndotjes së ajrit kërcënojnë ta bëjnë jetën në shumë qytete të padurueshme.

25 mega-qytetet, si përgjigje ndaj kësaj, janë zotuar të bëhen neutrale ndaj karbonit deri në vitin 2050. Këto përfshijnë Rio de Janeiro, New York, Paris, Oslo, Mexico City, Melbourne, London, Milan, Cape Town, Buenos Aires, Caracas, Copenhagen, and Vancouver.

Nëse bota shpreson të përmbushë ambicien për të kufizuar rritjen e temperaturës globale në 1.5 gradë celsius duke arritur emetimet neto zero të karbonit deri në mesin e shekullit, qytetet e tjera do të duhet të bëjnë të njëjtën gjë.

Por çfarë do të duhet të bëjnë metropolet e mbushura me njerëz për t’u bërë neutrale ndaj karbonit?

Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballen qytetet janë emetimet e karbonit nga transporti.

Disa qytete po përpiqen t’i zvogëlojnë këto, shkruan “BBC”, së bashku me llojet e tjera të ndotjes nga automjetet, duke futur Zonat me Emetim ultra të ulët (ULEZ).

Në Londër, zona e mbuluar nga ULEZ është zgjeruar 18-fish vetëm nga qendra e qytetit dhe tanimë është zona më e madhe e këtij lloji në Evropë.

Qëllimi është të inkurajohen njerëzit që të ndërrojnë automjete me emetim më të ulët, por këto ende gjenerojnë emetime të karbonit gjatë procesit të prodhimit.

Mirëpo, për ta kapërcyer këtë, disa qytete po inkurajojnë njerëzit që t’i shmangen fare makinave. Parisi ndërkohë, po krijon 650 kilometra rrugë të reja biçikletash dhe shpreson të hapë të gjithë qytetin për biçikletat deri në vitin 2026 sipas një plani të ri të shpallur nga kryebashkiaku Anne Hidalgo.

Kurse kryeqyteti kolumbian, Bogota, ka bërë 75 kilometra rrugë pa makina.

Megjithatë studiuesit paralajmërojnë se ndryshime të tilla kulturore mund të marrin shumë kohë për t’u realizuar. Por OKB-ja beson se politikëbërësit mund të përdorin njohuritë e shkencës së sjelljes për të nxitur njerëzit në drejtimin e duhur.

Një rast i kësaj mund të jetë inkurajimi i njerëzve për të ricikluar duke instaluar dhe përmirësuar qasjen në pajisjet e riciklimit.

Një tjetër kontribues i madh në emetimet e dioksidit të karbonit në qytete është energjia e nevojshme për të ndërtuar, mirëmbajtur dhe drejtuar ndërtesat.

Në vitin 2015, ndërtesat ishin përgjegjëse për 38 për qind të emetimeve globale të dioksidit të karbonit të lidhura me energjinë.

Megjithatë, për të ndihmuar në reduktimin e emetimeve që vijnë nga ngrohja, ftohja dhe furnizimi me energji elektrike i ndërtesave, industria e ndërtimit ka bërë përpjekje për të përfshirë më shumë burime alternative të energjisë në dizajnin e tyre.

Qëllimi është që ndërtesat të jenë më pak të varura nga lëndët djegëse fosile, dallon “BBC”.

Në Ulm, në Gjermaninë jugore, ndërtesa Energon përdor një proces të quajtur ngrohje pasive, duke u mbështetur në burimet natyrore të energjisë për të rregulluar temperaturën e ndërtesës.

Kanalet nëntokësore rreth ndërtesës thithin dhe ngrohin ajrin e hyrjes në dimër dhe ftohin sistemin në verë me ndihmën e sondave që shtrihen 100 metra nën tokë, ku temperatura natyrore e tokës mund të përdoret për të ftohur ose ngrohur ajrin sipër.

Kjo lejon që ndërtesa të përdorë 75 për qind më pak energji për ngrohje dhe ftohje sesa një ndërtesë standarde zyrash.

Singapori që mbahet si lider i zhvillimit të qëndrueshëm, është tejet i varur nga ajri i kondicionuar, i cili është i instaluar në rreth 99 për qind të shtëpive private të qytetit.

Sektori i vet i ndërtimit përdor një mjet për vlerësimin e ndërtesave, Green Mark, për të inkurajuar qëndrueshmërinë, duke përdorur ajër të kondicionuar me efikasitet energjetik.

Problemi qëndron edhe para se ndërtesat të banohen.

Ato kanë një gjurmë të madhe karboni. Afro 11 për qind e emetimeve të karbonit të lidhura me energjinë mishërohen brenda ndërtimit dhe materialeve të përdorura.

Vazhdimi i ndërtimit të ndërtesave nga betoni dhe çeliku mund të nënkuptojë që emetimet të arrijnë në 600 milionë ton në vit deri në vitin 2050.

Dhe për momentin, shkruan “BBC”, çeliku dhe betoni përbëjnë rreth 16 për qind të emetimeve globale të dioksidit të karbonit.

Ndërkaq, përdorimi i drurit mund të ruajë deri në 680 milionë ton karbon në vit, sipas hulumtimeve në Finlandë.

Nga ana tjetër, qytetet po miratojnë zgjidhje të bazuara në natyrë për të ndihmuar në ruajtjen e karbonit.

Medellin në Kolumbi ka mbjellë 30 korridore të gjelbra përgjatë 18 rrugëve dhe 12 rrugëve ujore, me 8 mijë e 300 pemë dhe 350 mijë shkurre. Kjo ka ulur temperaturën lokale me më shumë se 2 gradë celsius.

“Infrastruktura e gjelbër zgjidh shumë probleme. Rrit biodiversitetin, ka një efekt ftohës nga avullimi i bimësisë dhe mund të thithë disa ndotje të grimcave në ajër”, ka shpjeguar Benz Kotzen, profesor në Shkollën e Dizajnit të Universitetit të Greenwich.

Në Singapor, infrastruktura e gjelbër ka qenë thelbësore për të ulur varësinë nga ajri i kondicionuar, ka treguar Cheong Koon Hean, arkitekte dhe eksperte në planifikimin urban në Qendrën për Qytetet Inovative në Universitetin e Teknologjisë dhe Dizajnit të Singaporit.

Ndërtesat në qytet po projektohen për të maksimizuar ventilimin natyror, ka thënë Koon Hean.

“Singapori është një qytet shumë i dendur, në një klimë të nxehtë dhe të lagësht. Dhe me rritjen e popullsisë, kemi shumë ndërtesa të larta. Dhe po përballemi me temperatura gjithnjë e më të ngrohta”, ka shtuar ajo.

Mirëpo, ndryshimet e nevojshme për të arritur emetim zero kërkojnë që autoritetet e qytetit të balancojnë sisteme dhe interesa të panumërta. Dhe shumë prej tyre veprojnë jashtë kontrollit të tyre.

Marrëdhënia midis sektorit privat dhe publik në nivel qyteti duhet të përmirësohet, ka theksuar Stefan Knupfer, i cili drejton praktikën e qëndrueshme për McKinsey.

“Historikisht, sektori privat dhe publik në nivel qyteti nuk kanë punuar së bashku pse qytetet duhet të shihen si neutrale. Kemi nevojë për ekspertizë në teknologjitë e reja nga sektori privat në mënyrë që qytetet të mësojnë praktikat më të mira”, ka thënë ai.

Sipas Knupfer, është e rëndësishme që qytetet të fokusohen vetëm në disa fusha që kanë nevojë për përmirësim.

Për të, qytetet duhet të fokusohen në iniciativat me ndikimin më të shkurtër, sepse koha po mbaron për të zbutur efektet më të këqija të ngrohjes globale.

“Është e rëndësishme të punojmë me atë që dimë, jo të ëndërrojmë”, ka përmbyllur ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore