Kosova

Si (nuk) dalluan këto zgjedhje nga ato të vitit 2017


Ilustrim

Në zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën e 17 tetorit, në 17 komuna nuk do të ketë balotazh, ndërkaq në 21 të tjera gara do të vazhdoi në raundin e dytë pas një muaji.

Ndryshe nga tani, në zgjedhjet lokale të 22 nëntorit të vitit 2017 nga 38 komuna, 19 komuna nuk kishin arritur të shpallin fituesin në raundin e parë.

Dallim përveç numrit të komunave që kanë shkuar në balotazh ka edhe në numrin total të pjesëmarrësve në zgjedhje.

Kështu nëse krahasojmë zgjedhjet lokale të vitit 2017 me atë të 2021, numri total i pjesëmarrësve në zgjedhjet e vitit 2017 ka qenë 44,10 për qind, shifër e cila në vitin 2021 ka rënë në 42,5 për qind.

Bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, komunat që do të jenë në balotazh në zgjedhjet lokale të 2021 janë Gjakova, Dragashi, Klina, Kamenica, Podujeve, Prishtina, Prizreni, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Mamusha, Gllogovci, Kllokoti, Istogu, Shtime, Rahoveci, Fushë Kosova, Obiliqi dhe Kaçaniku.

Katër vite më parë komunat si Gjakova, Gjilani, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Klina, Kamenica, Mitrovica, Obiliqi, Rahoveci, Podujeva, Prishtina, Prizreni, Shtimja, Suhareka, Ferizaj, Vushtrria, Malisheva dhe Kllokoti nuk patën arritur të zgjedhin kryetarin e tyre në raundin e parë.

Në zgjedhjet e fundit në Gjakovë, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini i cili ka arritur të grumbullojë 46 për qind të votës popullore do të ketë si kundër kandidat, kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka marrë 37,08 përqind.

Ndërsa në lokalet e vitit 2017, po në të njëjtën komunë Gjini në raundin e parë kishte tubuar 39,88 për qind të votës popullore dhe në balotazh kishte korrur fitore duke marrë 53,46 për qind të votave duke e lënë pas kandidaten e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila e cila në balotazh kishte arritur të fitoi 46,54 për qind të votave.

Në Prishtinë, kandidati i LVV-së, Arben Vitia i cili ka arritur të grumbullojë 42,33 për qind të votës popullore, do të jetë në garë në raundin e dytë me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama i cili ka marrë 29,35 për qind të votës popullore.

Në vitin 2017 në Prishtinë kandidati i LVV-së Shpend Ahmeti, në raundin e parë kishte mbledhur 43,61 për qind të votës popullore, në balotazh kishte arritur të marrë 50,22 për qind, duke korrur fitore ndaj kundër kandidatit të tij nga LDK-ja Arban Abrashi, i cili në raundin e dytë kishte marrë 49,78 për qind të votës totale.

Në Prizren, kandidati i LVV-së, Mytaher Haskuka, i cili ka fituar 40,43 për qind të votave si kundër kandidat në balotazh do të ketë kandidatin e PDK-së, Shaqir Totaj i cili ka arritur të grumbulloi 31,10 për qind të votës popullore.

Edhe katër vite më parë, Prizreni nuk kishte arritur të shpall fituesin në raundin e parë.

Kështu, kandidati i LVV-së, Mytaher Haskuka i cili në raundin e parë kishte fituar 22,41 për qind të votës totale, në balotazh kishte grumbulluar 50,36 për qind duke lënë pas kandidatin e PDK-së, Shaqir Totaj i cili ka fituar 49,64 për qind të votës popullore.

Kandidati i LVV-së, Alban Hyseni për kryetar të komunës së Gjilanit ka arritur të marrë 44,43 për qind të votës popullore duke lënë pas kandidatin e LDK-së, Lutfi Haziri, i cili ka fituar 43,81 për qind të votës popullore.

Ndërsa në vitin 2017, kandidati i LDK-së Lutfi Haziri, në raundin e parë kishte grumbulluar 43,51 për qind të votës totale dhe në raundin e dytë duke mbledhur 63,81 për qind të votave kishte korrur fitore ndaj kundër kandidatit nga radhët e LVV-së Sami Kurteshi i cili në raundin e dytë kishte grumbulluar 36,19 për qind të votës totale.

Agim Bahtiri, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i cili në raundin e parë në vitin 2017, kishte fituar 27,11 për qind të votës totale, ndërsa në balotazh pati grumbulluar 57,44 për qind të votës popullore duke fituar të drejtën e udhëheqjes së komunës së Mitrovicës duke lënë pas kandidaten e PDK-së Valdet Idrizi.

Mirëpo në zgjedhjet lokalet të 17 tetorit, Agim Bahtiri tashmë kandidati i LVV-së, ka humbur nga kundër kandidati i PDK-së, Bedri Hamza, i cili ka arritur të marrë 53,86 për qind të votës popullore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore