Shqipëria

Si ndodhka që 2 vende rrëzojnë 13 vota në Këshill Sigurimi, shtron pyetjen Hoxha


Një rezolutë kundrejt provokimeve ushtarake të Koresë së Veriut është bërë “molla e sherrit” e radhës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku pala shqiptare (anëtare jo e përhershme në KS), ka shprehur indinjatën mbi veton kundër, të vendosur nga Rusia dhe Kina.

“Kur ndodhka që dy vota rrëzojnë 13?”, ka shtruar pyetjen ambasadori shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ferit Hoxha, nëpërmjet një postimi në Twitter ku ka reflektuar edhe mbi rezolutën.

Sipas Hoxhës, organi i lartë i OKB-së është marrë peng nga dy vende, pasi kanë përdorur fuqinë e vetos së tyre sërish në këtë organizëm, i cili pritet të jetë në unison dhe i paanshëm në vendime.

“Kina dhe Rusia kanë vendosur veton mbi një rezolutë, e cila dënon provokimet e vazhdueshme ushtarake të politikave të Koresë së Veriut”, ka shpjeguar ai.

Mbi këtë rezolutë, Shqipëria ka votuar pro, nën argumentimin se Koreja e Veriut duhet t’i vërë fre këtyre provokimeve ushtarake që ka ndërmarrë në gadishullin korean.

Një prej shtojcave, thekson gjithashtu se çdo veto e vendosur kundër kësaj rezolute, është një mbështetje direkte e regjimit të Kim Jong Un dhe veprimi të tija të papërshtatshme.

Teknikalitete si ajo e vetos, kanë qenë shumë të argumentuara gjatë e prej kohësh në organizata të tilla si OKB-ja, NATO apo Bashkimi Evropian.

Këta të fundit, po shohin një episod të ngjashëm me Bullgarinë, e cila veton e ka vendosur ndaj Maqedonisë së Veriut dhe po mban të bllokuar edhe Shqipërinë për hapjen e negociatave me unionin.

Nga ana tjetër, edhe vetë NATO po rrezikohet nga një veto e mundshme që Turqia mund të vendosë kundrejt aderimit të Finlandës dhe Suedisë në aleancë.

Këto organe po shohin edhe mundësinë e ndërrimit të politikave sa i përket imponimit nga një vend i vetëm kundrejt vullnetit të shumicës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore