Lajme

Si mund ta parandalojë diabetin e tipit 2 agjërimi me ndërprerje?


Përmirësimi i peshës me një kufizim të kalorive dhe aktivitet fizik të rregullt është i dobishëm.

Për parandalimin e diabetit të tipit 2 në subjektet në rrezik, rekomandohet një humbje peshe prej 7 për qind.

Kjo, kombinuar me aktivitet të rregullt fizik për 20-30 minuta në ditë ose 150 minuta në javë, si dhe reduktim të marrjen totale të yndyrës duke rritur atë të fibrave bimore.

Hipoteza është se periudha pak a shumë të gjata të agjërimit, të alternuara me periudha të ngrënies pak a shumë të lirë, aktivizojnë rrugët metabolike të lidhura me katabolizmin (procesi i ndarjes së molekulave komplekse në më të thjeshta), autofagjinë (procesi i vetë-pastrimit të qelizave) dhe mekanizmat molekularë të krijuar për të na mbrojtur nga zhvillimi i sëmundjeve kronike.

Baza e plakjes dhe e zhvillimit të patologjive si diabeti është inflamacioni kronik i shkallës së ulët të shkaktuar nga mosha, pasiviteti fizik, predispozita gjenetike, mënyra e jetesës, ndotësit dhe ngrënia e tepërt.

Kjo nxit stresin metabolik me një rritje të stresit oksidativ, i cili shkakton ndryshime të rëndësishme në organizëm, të cilat përmirësohen me kufizimin e kalorive.

Ekziston një grup gjenesh që kodojnë për proteinat e quajtura sirtuina, prej të cilave janë shtatë lloje. Këto proteina kryejnë veprime të ndryshme kontrolli të rrugëve metabolike të përfshira në zhvillimin e tumoreve, sëmundjeve neurodegjenerative, plakjes, diabetit.

Në veçanti, nivelet e ulëta të shprehjes së Sirt1 (një nga shtatë proteinat) duken të implikuara në zhvillimin e diabetit të tipit 2, ndërkohë që aktivizimi i tij stimulohet nga kufizimi i kalorive.

Sakaq, trupi i përgjigjet agjërimit me ndërprerje duke minimizuar sintezën qelizore, rritjen dhe riprodhimin, duke promovuar sistemet e mirëmbajtjes dhe riparimit, duke përmirësuar rezistencën ndaj stresit, riciklimi i molekulave të dëmtuara dhe nxitja e mbijetesës së qelizave të cilat së bashku përmirësojnë gjendjen e shëndetit dhe rezistencën ndaj sëmundjeve.

Te njerëzit, ndjeshmëria ndaj insulinës ndryshon sipas orës së ditës, duke u ulur gjatë natës.

Shmangia e ngrënies gjatë natës mund të sinkronizojë marrjen e ushqimit me çlirimin efektiv të hormoneve pas ngrënies, duke rezultuar në kontroll më të mirë të sheqerit në gjak.

Nga pikëpamja metabolike, ngrënia me ndërprerje duket se është premtues në përmirësimin e ndjeshmërisë ndaj insulinës, të paktën në afat të shkurtër.

Të dhënat tregojnë se është kufizimi i kalorive, në vend të kohës së marrjes së vaktit, ai që ka rëndësi për stresin oksidativ dhe inflamacionin.

Në çdo rast, këto të dhëna na detyrojnë të rishikojmë konceptet në modë në dekadat e fundit, duke autorizuar modele të reja të sjelljes për humbje peshe, ndoshta më të përshtatshme me ritmet e jetës së sotme.

Megjithatë, duhet të jetë e qartë se vetëm duke reduktuar totalin e kalorive mund të arrihet humbje peshe dhe të përmirësohet pamja metabolike.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore