Lajme

Si i favorizon kompanitë në rritje, sistemi i taksave në Estoni


Ndërkohë që po vendoste se ku do të hapte një zyrë ndërkombëtare, biznesi gjerman i softuerit mediatik Axinom, kishte shumë opsione në tryezë, nga India në Slloveni. Por ishte vendi i vogël i Estonisë që plotësoi të gjitha kushtet.

Estonia kishte gjithçka që i nevojitej Axinom: një pasuri talentesh teknologjike, një qeveri e prirur për të mirëpritur kompanitë e huaja dhe një kulturë biznesi vendase që përputhej mirë me atë që Axinom ishte mësuar në Gjermani.

Kësaj, shtoi edhe faktin që ka një nga sistemet tatimore më konkurruese në botë, ku bizneset paguajnë 0% tatim mbi të ardhurat për të gjitha fitimet e ri-investuara dhe të mbajtura.

“Ne nuk po kërkonim një parajsë tatimore, apo një vend ku mund të kursenim disa para, apo diçka të tillë”, thotë Oleg Knut, drejtor menaxhues i Axinom Estonia.

“Por fakti që ne mund të investojmë pa u tatuar si në Gjermani është një përfitim i madh për kompaninë”.

Axinom është larg nga të qenit e vetmja kompani që ka arritur në këtë përfundim.

Që nga 2014-ta, viti kur Estonia themeloi programin e saj të e-Residency, të huajt kanë ngritur pothuajse 20 mijë biznese në vend.

Korporata të mëdha, si Microsoft, biznesi suedez i telekomunikacionit Ericsson dhe firma shumëkombëshe e gazit Linde, kanë hapur gjithashtu filiale estoneze.

Brexit ka dhënë gjithashtu një nxitje: që nga referendumi i Mbretërisë së Bashkuar për anëtarësimin në BE në vitin 2016, rreth 4 mijë kompani të Mbretërisë së Bashkuar janë krijuar në Estoni.

Ndërsa komuniteti i biznesit të Estonisë është rritur, po ashtu është rritur edhe Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) e saj – duke u rritur nga 6.2 miliardë euro në vitin 2000 në rreth 26.8 miliardë euro në vitin 2021 – dhe atraktiviteti i saj për investitorët.

Midis viteve 2015 dhe 2021, kapitalistët e sipërmarrjes investuan 2.62 miliardë euro në bizneset fillestare me bazë në Estoni (shifra më e lartë në rajonin e Evropës Qendrore Lindore).

Tashmë, viti 2022 ka një fillim fenomenal, me më shumë se 820 milionë euro të investuara në start-up-et estoneze, vetëm në janar.

Investimi në e-Estoni

Në vitin 2004, Axinom hapi një zyrë me një punonjës të vetëm në Tartu, qyteti i dytë më i rëndësishëm i Estonisë.

Që atëherë, ajo ka hapur një tjetër, këtë herë në kryeqytetin e Talinit dhe ka punësuar më shumë se 100 punonjës në vend.

Për shkak se kompanitë nuk tatohen për paratë që fitojnë, por për fitimet që paguhen si dividentë, ri-investimi në vend është zgjidhja më e mirë për bizneset.

Kuptimi që bizneset vijnë në vend për t’u rritur është i qartë – Estonia është, në fund të fundit, diçka si një start-up vetë. Pas rifitimit të pavarësisë në vitin 1991, në të njëjtin vit që rrjeti botëror u bë i disponueshëm publikisht, sot 99% e shërbimeve qeveritare janë online, duke përfshirë procedurat për ngritjen e një biznesi dhe depozitimin e taksave.

Pagimi i taksave në Gjermani, për shembull, është një proces i ndërlikuar që mund të zgjasë disa javë dhe normalisht kërkon ndihmën e një këshilltari tatimor. Mesatarisht, kompanitë në vendet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), vlerësohet të shpenzojnë 44 orë në vit për të kuptuar se çfarë taksash të paguajnë.

Rregullat janë të thjeshta dhe të drejta, dhe kështu nuk ka asnjë justifikim për të gabuar dhe nuk ka arsye për të frenuar rritjen e biznesit.

Në të kundërt, 95% e taksave depozitohen në internet në Estoni dhe procesi mund të zgjasë deri në tre minuta. Rregullat janë të thjeshta edhe për sipërmarrësit individualë dhe investitorët me bazë në Estoni: të ardhurat individuale tatohen me një normë të sheshtë prej 20%.

Taksa e sheshtë, rritje e të ardhurave

Një vend me taksa minimale (dhe dhimbje koke minimale gjatë renditjes së këtyre taksave) tingëllon si një utopi për sipërmarrësit, korporatat dhe investitorët. Por si i sjell dobi ky sistem qeverisë dhe popullit të Estonisë?

“Ne, në fakt mbledhim më shumë taksë të korporatave, për frymë, sesa SHBA-ja”, thekson kryeministrja e vendit, Kaja Kallas.

Në nëntë muajt deri në shtator të vitit të kaluar, të ardhurat tatimore të Estonisë u rritën me 60% nga viti në vit, duke gjeneruar 51 milionë euro shtesë.

“Sistemi sjell më shumë taksa sepse askush nuk i fsheh të ardhurat e tij – nuk ka asnjë arsye për këtë, pasi nuk tatohet nëse i investoni përsëri në kompani”.

Kaja Kallas, kryeministrja e Estonisë

Kallas thekson se ky është një nga parimet kryesore që mbështet filozofinë tatimore të Estonisë.

Rregullat janë të thjeshta dhe të drejta, dhe kështu nuk ka asnjë justifikim për të gabuar dhe nuk ka arsye për të frenuar rritjen e biznesit.

Marrë nga Economist Impact, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore