Pajisje

Si funksionojnë raketat hipersonike?


Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëri të Bashkuar dhe Australi, më parë është njoftuar zhvillimi i përbashkët i raketave të reja hipersonike.

Mirëpo, çfarë janë këto raketa dhe si funksionojnë?

Raketat hipersonike janë testuar nga amerikanët në kuadër të projektit Hawc, Hypersonic Air-breathing Weapon Concept.

Agjencia e lajmeve, “CNN”, ka zbuluar një lëshim të dytë të kësaj arme të re të kryer në mes të muajit mars.

Por është mbajtur disi diskret për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit me Rusinë.

Raketat hipersonike quhen të këtilla kur shpejtësia me të cilën ato mund të udhëtojnë është të paktën 6 mijë e 174 kilometra në orë, ndryshe pesë herë më e madhe se shpejtësia e zërit.

Rusët, gjatë pushtimit të Ukrainës, kanë përdorur një armë të ngjashme, raketën Kinzhal.

Kjo e fundit, referuar qeverisë së Moskës, ka shkatërruar një depo të nëndheshme të Ukrainës.

Por disa analistë kanë dyshuar në objektivin e vërtetë.

Projekti amerikan Hawc, sakaq, mësohet të jetë zhvilluar nga Agjencia e Projekteve të Kërkimeve të Avancuara të Mbrojtjes (Darpa) dhe Laboratori i Kërkimeve të Forcave Ajrore (Afrl).

Po ashtu edhe nga kontraktorët privatë, kompanitë Lockheed Martin dhe Aerojet Rocketdyne.

Lind pyetja, si funksionojnë ato dhe pse fuqitë botërore investojnë gjithnjë e më shumë fonde në kërkimin e këtyre armëve të reja?

Sa larg fluturoi Hawc?

Raketa u hodh nga një bombardues B-52 në brigjet perëndimore të SHBA-ve dhe më pas u ngrit, duke fluturuar me shpejtësi hipersonike.

Ishte një test i prototipit të parë të ndërtuar nga Lockheed Martin dhe testi u krye për të verifikuar aftësinë e raketës dhe të sistemit shtytës për të arritur dhe mbajtur shpejtësinë për një kohë të mjaftueshme.

Mendohet se ka arritur një lartësi mbi 19 mijë e 800 metra dhe ka fluturuar mbi 555 kilometra.

Ndërkaq, fluturimi ka qenë i shkurtër, afro pesë minuta.

Po motori, si është?

SHBA-të disponojnë disa dizajnë për sistemet e raketave hipersonike dhe Hawc është ai që i afrohet më shumë dhe përdor teknologji pioniere si ato të automjetit të hapësirës ajrore X-30 ose X-51 Waverider.

Teknologjia hipersonike përdor një sistem shtytës që “frymon ajrin” dhe nuk ka nevojë të mbahet oksidues për djegie, i cili zvogëlon peshën në nisje.

Statorjet është një motor i thjeshtë reaktiv, ai nuk ka kompresor dhe turbinë.

Sfidat teknologjike për të funksionuar këtë sistem janë të konsiderueshme, të lidhura me shpejtësitë e arritura.

Megjithatë, këta motorë nuk janë një ide e kohëve të fundit.

Në vitin 1958, një nga projektet e para të NASA-s ishte Dega Hypersonic Airbreathing Propulsion.

Ngarkesa bërthamore

Që nga fillimi i shekullit të XXI-të, disa vende kanë punuar në zhvillimin e këtyre motorëve të  besueshëm dhe efikas.

Karakteristika kryesore e një rakete hipersonike qëndron jo vetëm në shpejtësinë e saj, por edhe në manovrimin e saj pasi bëhet shumë më e vështirë për t’u kapur.

Me kusht që të ketë mjetet e duhura, ato kanë reduktuar kohën e reagimit.

Dhe sensorët me të cilët është pajisur pajisja sigurojnë saktësi më të madhe. Por këto mjete shkatërrimi mund të pajisen edhe me një ngarkesë bërthamore.

Cilat vende i kanë këto raketa?

SHBA-të dhe aleatët e tyre janë shumë mbrapa vendeve të tjera, si Rusia, e cila ka të paktën tre sisteme të armëve hipersonike në arsenalet e vet.

Përveç raketës balistike Kinzhal, një raketë balistike e manovrueshme e lëshuar nga ajri, ka edhe raketat balistike Avangard dhe raketat e lundrimit Zircon.

Kina, nga ana tjetër, kryen një seri testesh mbi armët hipersonike, si DF-17, një raketë balistike me rreze të mesme veprimi ose sistemi Starry Sky-2, një mjet prototip hipersonik me aftësi bërthamore, i testuar në gusht 2018 dhe që mund të jetë operacional deri në vitin 2025.

Edhe vende të tjera po zhvillojnë po ashtu teknologji hipersonike.

Në to përfshihet Australia, Franca, Gjermania, Japonia, India dhe Koreja e Veriut.

 

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore